Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka zhvilluar sot një takim me drejtoreshën e Drejtorisë për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s (Norvegji, Zvicër, Islandë dhe Lihtenshtejni) në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë Susanne Schütz, e shoqëruar edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri Peter Zingraf.

Manja shkëmbeu mendime me Schütz mbi reformën në drejtësi nisur prej kohës kur, Schütz kryente detyrën e ambasadores në Shqipëri, vetingun, shkollën e magjistraturës dhe punën mbi hartën e re gjyqësore në Shqipëri.

Ai theksoi se puna e bërë është kolosale, pavarësisht pengesave të hasura. Ata folën edhe mbi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe mundësinë e shtrirjes së bashkëpunimit.

Sipas ministrit të Drejtësisë hapat që ka hedhur Shqipëria dhe ato që po ndërmerr në konsolidimin e sistemit të drejtësisë, kanë ardhur edhe me mbështetjen e ngushtë të partnerëve të Bashkimit Europian dhe me gjerë, dhe për këtë ai nuk hezitoi ta falënderojë Schütz dhe ambasadorin Zingraf.

Ata ndanë edhe pikëpamjet e tyre mbi mënyrën e vazhdimit të punës nga misioni EURALIUS në vendin tonë.

Nga ana e saj, Schütz shprehu kënaqësinë për ecjen përpara të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare si dhe siguroi ministrin e Drejtësisë se mbështetja e miqve dhe partnerëve në fushën e drejtësisë do të vazhdojë të intensifikohet