Manchester City e ka mposhtur me shumë lehtësi 3:1 Evertonin të dielën, duke e ruajtur hapin me liderin e Premierligës Chelsea. Raheem Sterling, Rodri dhe Bernardo Silva shënuan nga një herë në Etihad, për fitoren e nëntë të skuadrës së Pep Guardiolës këtë sezon në ligë. Kjo fitore e kthen Manchester Cityn në vendin e dytë me 26 pikë, vetëm tri më pak se lideri Chelsea dhe një më shumë se Liverpooli në vendin e tretë.

Evertoni i Rafa Benitezit e pësoi humbjen e katërt në pesë ndeshjet e fundit dhe ngel në vendin e 11-të me 15 pikë nga 12 ndeshje. Të kaltrit e Mançesterit e nisën ndeshjen me ritëm të ngadaltë dhe me lojë të plogësht. Por me kalimin e kohës ata filluan të këndellen dhe Sterling e theu akullin kur shënoi nga afërsia pas u shërbye nga Joao Cancelo në minutën e fundit të pjesës së parë. Vetëm 10 minuta brenda pjesës së dytë, mesfushori spanjoll Rodi e dyfishoi epërsinë për ekipin e Guardiolës kur e mposhti Jordan Pickfordin me një goditje mahnitëse nga rreth 30 metra largësi.

Silva i vuri kapak fitores së lehtë të City katër minuta para fundit, kur shënoi nga afërsia nga një top i kthyer në zonë.