Tiranë, 4 Nëntor – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në interpelancën e kërkur nga deputeti i opozitës, Tritan Shehu për strategjinë e vaksinimit, ka theksuar se Shqipëria do të ndjekë objektivin e OBSH për vaksinimin e 70 % të popullsisë deri në mesin e vitit 2022. “Ne do të ndjekim objektivin e OBSH-së, për mbulesë vaksinale të 70 % të popullatës, deri në mesin e vitit 2022. Por falë pikërisht kësaj strategjie që ne kemi miratuar që në krye të herës nuk kemi hequr dhe nuk do të heqim dorë nga objektivi ynë, për të vaksinuar popullatën target mbi 16 vjeç, deri në pranverën e vitit që vjen”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës së saj në interpelancën e kërkuar nga deputeti i opozitës, Tritan Shehu, Manastirliu informoi se falë përpjekjeve të qeverisë 44% e qytetarëve janë më të mbrojtur me një dhe dy doza që i përkasin popullatës target +16 vjeç. Manastirliu në fjalën e saj tha se qeveria ka bërë të gjitha përpjekjet për të përmbushur përgjegjitë e saj për sigurimin e sasisë së nevojshme të vaksinave që çdo qytetar të ketë mundësi të vaksinohet. “Qeveria ka lëvizur të gjithë gurët për të përmbushur përgjegjësinë e saj, për të siguruar sasinë e nevojshme të vaksinave, në mënyrë që çdo qytetar të vaksinohet. Dhe në këtë drejtim, ia kemi dalë. Ky është një fakt! Arritja e objektivit të mbulesës me vaksina do të varet padyshim nga pranueshmeria, por edhe nga mekanizmat e sugjeruar nga ekspertët, të cilat ne jemi të vendosur t’i zbatojme”, tha Manastirliu.