Ish-kryeministri Sali Berisha është duke mbajtur një konferencë për media, si një kundërpërgjigje ndaj vendimit të kryedemokratit Lulzim Basha për të mbledhur Kuvendin Kombëtar në datën 18 dhjetor.

Berisha u shpreh i bindur se Kuvendi do mblidhet me 11 dhjetor dhe nukdo të mblidhet sipas rendit të ditës të përcaktuar nga Basha, por sipas asaj që kanë firmosur vetë delegatët.

Berisha: Dola para jush sepse Rama njëlloj si daja i tij i cili në ’90 me 11 dhjetor propozonte që ti futen tanket pluralizmit dhe ky pasazh besnik i tij me peng Bashën përpiqet të minojë sot përpjekjen madhore të shqiptarëve , revolucionin e tyre paqësor për rivendosjen e pluralizmit politik në vend. E them këtë sepse sot pasi prej disa ditësh u dorëzuan në selinë e PD 4200 firma të delegatëve të Kuvendit të PD-së, të grave dhe burrave vizionarë të kësaj partie, të cilët ndjejnë se në Shqipëri PD është shndërruar në një fasadë të pushtetit, ndjejnë se rikthimi i PD si një forcë e vërtetë opozitare është jetike për pluralizmin politik, 4200 guximtarë u ngritën mbi të gjitha format banale të pandershme, të turpshme të presioneve dhe firmosën për rivendosjen e pluralizmit, ç’momentimin e narkoshtetit, për një të ardhme për shqiptarët në vendin e tyre.

Një sjellje të tillë më rikujton mua qëndrimet e pallateve të kuqe në dhjetor të ’90 ndaj studentëve. përpjekjet e tyre për të dështuar atë lëvizje të bekuar që i dha fund epokës së monizmit në Shqipëri. Përpjekje të tilla për të bllokuar vullkanin janë sa qesharake aq edhe të turpshme. 5 ditë pas dorëzimit të 4200 firmave pengkryetari i PD mbledh Kryesinë falso apo fake të kësaj partie e cila në masën 60% të saj është zgjedhur në dhunim flagrant të statutit të partisë. Jo me votën e fshehtë të Këshillit tonë Kombëtar, por emëruar nga pengkryetari siç donte ai dhe njofton datën që jep pengu i tij Edi Rama për Kuvend të PD, 18 dhjetor. Me këtë rast unë do të garantoj të gjithë firmëtarët e këtij misioni historik, firmat e të cilëve do gdhenden në muralin e pluralizmit politik shqiptar por edhe të PD-së, se nuk do ketë kurrë asgjë që mund të nëpërkëmbë firmat e tyre dhe Kuvendit i PD do mblidhet datën e shpallur prej tyre dhe se do mblidhet jo sipas rendit të ditës së pengkryetarit por sipas rendit të ditës që ata guximtarë kanë firmosur në formularin e tyre.