Në një prononcim për media, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, foli mbi çështjet kryesore të aktualitetit politik në vend. Interesimit të gazetarëve mbi qëndrimin e maxhorancës në lidhje me vetingun e politikanëve, Gjiknuri, iu përgjigj në mënyrë indirekte se ai është kundër, duke specifikuar se legjislacioni shqiptar ka mekanizma të tjerë që vlerësojnë pastërtinë e figurës së politikanëve. “Unë e dhashë përgjigjen time pak më parë. Shqipëria ka legjislacion të mjaftueshëm për të bërë pastërtinë e figurës së politikanëve. Ne kemi ILDKPI për deklarimin e pasurisë, është ligji i dekriminalizimit si dhe është dhe vota e qytetarëve në fund”, tha Gjiknuri.

Për sa i përket Reformës Zgjedhore, ku dhe ai është bashkëkryetari i propozuar nga socialistët, Gjiknuri, theksoi se PS pret të vijë opozita dhe së bashku të caktohen sa më parë grupet e punës. “Unë në fakt pres të vijë opozita dhe të caktojnë dhe njerëzit e tyre për Reformën Zgjedhore. Ka një eksperiencë si nis Reforma Zgjedhore, ajo nis nga rekomandimet e OSBE-ODHIR. Ne i kemi tashmë rekomandimet e OSBE-ODHIR dhe le të fillojmë nga puna”, vijoi Gjiknuri.

Gjithashtu Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste tha se selia rozë është e gatshme të futet në garë në të gjitha bashkitë, ku do të shpallen zgjedhjet lokale nga gjykata Kushtetuese dhe që do të dekretohen nga presidenti. “Patjetër që Partia Socialiste është e gatshme të konkurojë në të gjitha bashkitë që do të ketë zgjedhje dhe që do të dekretohen nga presidenti”, tha Gjiknuri.