Nga Elda Shabani

Në të gjitha fushat e jetës, pandemia na ka ndryshuar prioritetet dhe perspektivat tona. Sigurisht personat e famshëm dhe ndikuesit (influencers) nuk janë të përjashtuar me këtë realitet. Por sot me kulturën e bashkëjetesës me kovidin dhe me influencers, e cila kjo e fundit duket paksa larg me realitetin tonë aktual – natyrshëm lind pyetja kush ose çfarë do të ndikojë tek ne në vazhdim? Pavarësisht se pandemia ka bërë shumë prej nesh të priren drejt një mënyrë jetese më të qetë dhe të refuzojnë presionin që vjen nga jashtë, i cili sundonte jetën tonë përpara se bota të zhytej në qetësi, njerëzit janë në thelb qënie sociale, të prirur të veprojnë nën ndikim e diçkaje ose dikujt. Të besojnë apo të kenë një burim frymëzimi, një lider.

Njerëz me ndikim të madh kanë ekzistuar gjithmonë, në të gjitha kohërat, nga faraonët, mbretërit, socialistët në gjysmën e parë të viteve 1900 apo dhe yjet e Hollivudit si dhe ikonat e popit e deri në këtë të fundit, të famshmit e tabloidëve të viteve ’00, ndikuesit të mediave sociale. Por nuk ka dyshim se shumë shpejt një konfigurim i ri do të shfaqet, pasi vet oreksi për risi I qënies sonë është I madh dhe përtej estetikës ajo është organike. Megjithatë, pandemia na ka bërë të ngadalësojmë dhe të rimendojmë vlerat tona dhe kjo botë e re, përballë ndryshimeve të mëdha ku mediat tradicionale, personazhet e famshëm nuk kanë më të njëjtin pushtet që kishin përpara se bota të ndalonte . Atëherë nga kush po frymëzohemi dhe kë po zgjedhim të ndjekim për të blerë? Pavarësisht dëshirës së madhe për një rivendosje të vlerave dhe trashëgimisë, ne jemi gjithnjë e më të lidhur me epokën dixhitale: Instagram raportoi se shikimet në IG Live u dyfishuan gjatë pandemisë, ndërsa TikTok I cili është rritur në mënyrë eksponenciale që nga themelimi i tij në 2018, ka futur një element të ri në marrëdhënien tonë me modën: Krijimtarinë.

Nga përhapja e pandemisë, shohim një popullaritet të modës së princeshës, me fustane shumë ngjyrëshe, mëngë të fryra dhe aksesorë të çuditshëm me ngjyra acide dhe pastel që vërshojnë mediat sociale. Fustanet dhe pulovrat me luleshtrydhe të Lirika Matoshi, janë bërë virale apo dhe koleksionet e fundit të pranverës 2022 ku sërish shfaqet stili I Sirenës së Vogël, funde dhe fustane me printime kërpudhash e plot fantazi, të cilat duken sikur janë marrë nga dollapi i Lizës në Botën e Çudirave pa shpëtuar dhe stili Marie Antoinette me korse, I cili vjen në një ylber ngjyrash.

Është e lehtë të kuptosh pse kaq shumë kërkojnë t’i shpëtojnë realitetit duke zgjedhur veshjen e princeshës apo yllit të rokut psikodelik Prince, si dhe artistët e Popart-it e të jenë pjesë të personazheve të tyre të preferuar kur ishin fëmijë. Platforma e re rrjeteve sociale, e memeve e tik tok, ka patur një impakt të madh duke kthyer çdo përdorues në një rrëfimtar të jetës së tyre. Të gjithë duan të jenë protagonist dhe yje të spektaklit, të kontrollojnë dhe të jenë ndikues.

Si rezultat kjo platformë është sot në dorën e krijuesve më të vegjel, influencers duke decentralizuar atë çfarë deri më sot ishte në dorën e një pakice. Por përballë një krize klimatike në rritje, adhuruesit e modës kërkojnë të ndihen mirë me çfarë veshin dhe që nuk ka të bëjë me blerjen e fundit të sezonit. Kjo vihet re dhe tek kritikët e modës të cilët për shkak të pasigurisë financiare që ka sjellë pandemia, po I japin zë modës së ngadaltë, të qëndrueshme dhe sigurisht më gjithpërfshirëse. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se markat apo zhurma e të famshmëve nuk kanë vend në revolucionin e modës: Shembulli më tipik ishte Kardigani shumë ngjyrësh krijuar nga stilisti britanik JW i cili e pa veten në qëndër të TikTok, kur përdoruesit panë Harry Styles, të vishte këtë stil vintage në një nga shfaqjet e tij.

Qoftë Styles I cili vesh një triko JW Anderson apo dhe Kim Kardiashian me hijen e zezë krijuar nga Balenciaga për eventin më ekstravagant MET 21, dëshmon se emrat e tyre do të vazhdojnë të ndikojnë në industrinë e modës, në momentet më kyçe të saj. Por ajo që unë besoj është se oreksi për risi do të thotë, tendencat të reja do të vazhdojnë të shfaqen. Por e sigurt është se tendencat nuk do të diktohen më vetëm nga pasarelat e javës së modës apo nga ato të cilët ulen në rrjeshtin e parë për të zotëruar të parët koleksionet sapo dalë nga furra. Shpresojmë që e ardhmja e modës nuk do të përcaktohet vetëm nga sa luksoze është një veshje apo sa e vështirë është ta kapësh atë. Le të shpresojmë që e ardhmja e modës të udhëhiqet nga Influencers apo Lider, të cilët u qëndrojnë besnik vlerave e të shpalosin botën përmes një harmonie duke iu përgjigjur nevojave të kohës. E në kohët që po jetojmë, është e nevojshme të dëgjohet zëri I audiencës I cili synon të krijojë spektaklin e jetës së tij ulur në rradhët e një salle apo në rrugët e qytetit. Përtej estetikës kjo harmoni duhet të kurojë resurset tona humane, të cilat do të lehtësonin këtë normalitet tonin të ri.