Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç ka ftuar publikisht sërish Kosovën që t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”. Madje ajo tha se ftesë për t’iu bashkuar kësaj nisme sjell një përfitim të pabesueshëm prej saj.

“Qytetarët që jetojnë në rajon do të përfitojnë vërtetë shumë nga kjo iniciative”, tha Brnabiç.

Sipas saj thirrja për t’iu bashkuar “Open Balkan” është gjithnjë e hapur, duke theksuar se kjo iniciativë përkrahet nga Beogradi, Shkupi dhe Tirana, e që u jep të rinjve mundësinë të qëndrojnë në rajon, të shohin më shumë mundësi punësimi.

Në takimin i cili u drejtua edhe nga zyrtarët e NATO-s si dhe ambasadori zviceran në Beograd, Brnabiç tha se “Ballkani i Hapur” është një nismë ekskluzivisht rajonale që parashikon lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.

Sakaq, Kosova vazhdon të kundërshtojë të bëhet pjesë e kësaj nisme, në të cilën janë bërë bashkë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.