Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në takimin që u zhvillua me bizneset e vogla për të prezantuar buxhetin e vitit të ardhshëm.

Rama tha se po konsolidohet një pozicion i biznesit të vogël ku tatimet mbi fitimin vazhdojnë të jenë zero për të gjitha fitimet e vogla dhe pa TVSH deri në 100 milion xhiro. Ai bëri një krahasim mes numrit dhe gjendjes së biznesit të vogël në vend në mandatin e parë, kur sapo kishin hyrë në qeveri, me gjendjen dhe numrat e bizneseve të vogla tani.

“Bizneset ishin 60 mijë dhe tatoheshin 10%, sot bizneset e vogla janë 110 mijë e tatohen zero përqind. Kjo vlen për t’iu thënë atyre që flasin për mbyllje, falimentime, shkatërrime dhe atyre që bien pre e kësaj propaganda që në terrenin e shifrave dhe fakteve se biznesi i vogël është forca më e përkrahur dhe më e mbështetur nga qeveritë tonë” tha Kryeministri.

Për më tepër ai gjithashtu ndau shifrat për sa i përket taksave që paguajnë tani bizneset e vogla, krahasuar me sa paguanin më parë bizneset e vogla.

“Tjetra që prap është domethënëse, edhe pse ishin 60 mijë, gjatë periudhës 2006-2013 kanë paguar 19 miliardë lekë tatime, nga 2014-2021 duke qënë 110 mijë kanë paguar vetëm 5.7 miliardë tatime, pra 3 herë më pak, që do të thotë se diferenca ka hyrë në familjet e këtyre sipërmarrësve të vegjël. Bëhet fjalë për një diferencë jo të vogël, por 133 milionë dollarë diferencë” deklaroi Rama duke shtuar më pas se pas pandemisë janë shtuar 2400 biznese të reja në vend.

“Kemi shifrën tjetër të rëndësishme, për rimarrjen e të gjithë ritmit nga biznesi i vogël, pas mbylljes nga pandemia, në tetor të 2021, kur u bë edhe numërimi i fundit, janë 2400 biznese të vogla më shumë se sa para mbylljes nga pandemia. Patjetër që ka pasur biznese që e mbyllën aktivitetin, është normaliteti i këtij sistemi që kemi zgjedhur, por ka pasur shumë më tepër që e hapën aktivitetin. Nuk bëhet fjalë për biznese që mbyllen dhe i hapin me emër tjetër, por janë 2400 biznese të vogla hapura për herë të parë” tha Rama duke i dhënë merita edhe qeverisë për këtë rritje në numrin e bizenseve, sidomos për mbështetjen që iu dha atyre gjatë pandemisë.

“Me siguri, në këndvështrimin tonë ka luajtur rol edhe mbështetja që ne i dhamë bizneseve të vogla gjatë pandemisë, duke ua hequr lakun mbytës nga fyti e duke i mundësuar të kapërcejnë krizën të tmerrshme pa qënë në kthetrat e falimentimit.”

Kryeministri u ndal edhe te procesi i fiskalizimit, duke ndarë shifrat që tregojnë se deri në ç’pikë ka ecur procesi dhe duke përmendur të mirat që sjell ky proces.

“Sot kemi hyrë në një fazë kompet të re për të gjithë biznesin, në fazën e fiskalizimit, e tanimë kemi 67% të bizneseve të vogla me certifikatë elektronike dhe 32% të bizneseve të vogla që kanë filluar të lëshojnë fatura të fiskalizuara.

Kjo për shtetin, për biznesin e vogël dhe për të gjithë ata dhe këtu hyjnë të gjitha kategoritë, ata që janë të interesuar për më shumë shpenzime kapitale, më shumë investime, shkolla, kopshte, çerdhe, rrugë, shërbim shëndetësor e me radhë ka një domethënie të madhe.

Nga njëra anë nuk përkthehet në presion fiskal mbi biznesin, nga biznesi i vogël deri në 100 milion praktikisht nuk kërkohet asnjë taksë, nuk merret as TVSH, por duke u fiskalizuar biznesi i vogël mbyll të gjitha shtigjet për të mëdhenjtë që ta përdorin biznesin e vogël si shkarkues të informalitetit të tyre dhe faktikisht sposton paratë e të mëdhenjve që deri dje shkonin në kanalin e informalitetit, drejt arkës së shtetit.

Po ashtu, shumë e rëndësishme, që jo vetëm arka e shtetit do të ketë një disponim më të madh për të adresuar me edhe më shumë fonde nevojat e të gjitha kategorive shoqërore të të gjitha komuniteteve, por përfundimisht njëherë e mirë të gjithë do të çlirohen nga makthi i inspektorëve, kontrollorëve e me radhë” deklaroi Kryeministri, duke ndarë me të tjerët edhe se procesi i digjitalizimit ka pasur efekt shumë të mirë mbi fiskalizimin.

“Shërben jashtëzakonisht shumë revolucioni digjital për këtë, sepse gjithçka bëhet e lexueshme në kohë reale dhe për gjithcka flet kompjuteri, as inspektori e as tregtari, por kush punon me rregulla është zot në punën e vet dhe askush nuk vjen t’i trokasë në derë.

Sistemi funksionon me një tru artificial inteligjent që në bazë risku dhe projeksionesh të bëra në kohë reale jep indikacione për administratën tatimore apo doganore sipas rastit, se ku po ndodh një lëvizje e dyshimtë dhe gjithë kontrolli zhvillohet mbi këtë bazë.

E di shumë mirë që përtej mundit, përpjekjeve dhe zhvillimeve pozitive që janë siguruar falë punës së bërë nga drejtorja e tatimeve, ministrja para saj, përtej gjithë shprehjes së vullnetit të mirë, në sistemin tonë tatimor një pjesë e vogël, por mjaftueshëm problematike ka krijuar stres për sipërmarrësit. Heqja e këtij stresi përfundimisht është objektivi ynë.

Ndërkohë që së fundmi, ministrja dhe drejtori i tatimeve kanë hartuar një strategji të re për të qasur biznesin në këtë fazë të ndërmjetmje. Duke u nisur nga ku e ndërmorëm këtë përpjekje. Ka kërkuar kohë, mund, kosto morale, kohe, psikologjike por janë gjëra që kërkojnë kohën e tyre”.
Në fund, kryeministri u ndal edhe tek mbështetja financiare që synohet t’i jepet startup-eve dhe bizneseve të drejtuara nga të rinjtë.
“Dua të vë theksin tek volumi i ri i mbështetjes financiare për ata që kanë ide inovative, për startup. Duhet të stimulojmë teknologjinë për t’u përfshirë në këtë valë. Ka të rinj nëpër fshtra që janë punësuar jashtë dhe punojnë kompani të mëdha pa lëvizur nga shtëpia.
Ne duam që të shtyjmë me mbështetje fianciare ata të rinj që duan të futen në rrugën e biznesit përmes teknologjisë. Dy masa të rëndësishme të paketës fiskale që janë me impakt edhe në zonën e aktivitetit të bioznest të vogël: rritja e pagës minimale me ambicien që brenda mandatit të shkojmë në 400 mijë lekë të vjetra.
Të punësojmë njerëz që janë me ndihmë ekonomike. Deri më sot kemi pagë pa taksë 300 mijë lekë. Me paketën e re paga e pataksuar shkon deri në 400 mijë lekë.
Ka vende punë të lira plot. Këto vende kanë kërkesë për kualifikime të caktuara. Sot edhe kamarier nuk mund të hysh si dikur. Prandaj ne kemi vendosur një buxhet për të identifikuar njerzit dhe për t’i sjellë ata drejt vendit të punës. Biznesi kur merr fondin e kualifikimit do të bëjë punësimin përkatës. Deri në 2029 nuk do të ketë taksë për biznesin e vogël” përfundoi fjalën e tij Kryeministri Rama.