Kriza energjetike ka filluar të ndjehet edhe në Maqedoninë e Veriut. Qyteti i Shkupit ka njoftuar sot ndërprerjen e kontratës për dekorimin e qytetit me rastin e festave të fund-vitit.

“Duke u përballur me krizën e vazhdueshme energjetike, dhe duke pasur parasysh që shteti e siguron energjinë elektrike me një çmim shumë të lartë, si dhe në përputhje me vendimin e qeverisë për shpalljen e gjendjes së krizës në sektorin e energjisë, duam të informojmë publikun se: Qyteti i Shkupit ka kërkuar ndërpres kontratën me “Link media plus dooel” për dekorimin e qytetit për Vitin e Ri në vlerë prej 14.986.000 denarë ose 243.000 euro”, thuhet në njoftim.

Nga Qyteti i Shkupit gjithashtu njoftojnë se vitin e ardhshëm, në vend të praktikës së deritanishme të keqpërdorimit të parave të qytetarëve dhe angazhimitt të një kompanie dekorimi, Qyteti i Shkupit do të prokurojë dekorime që do të jenë në pronësi të qytetit, me çka do të kursehen mjete të konsiderueshme nga buxheti i qytetit.

“Do t’i jepet fund funksionimit dhe shpenzimit të papërgjegjshëm të mjeteve buxhetore të qytetit”, thuhet më tej në njoftimin e lëshuar.