Tiranë, 18 Nëntor – Gjatë dëgjesës publike me mjekë dhe infermierë për buxhetin e shëndetësisë 2022, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu duke folur për përmirësimet në shëndetësi tha se jemi kritikët e parë të vetes sonë, me qëllim që çdo kritikë të sjellë përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe shërbiemve ndaj qytetarëve.
“Unë e para e di se sa shumë probleme mbeten për t’u zgjidhur, se sa shumë sfida mbeten për t’u tejkaluar, se sa shumë rrugë kemi për të bërë, deri kur të mbërrijmë aty ku e duam Shëndetësinë. Për fat, ne kemi një tipar të vlefshëm: Jemi kritikët e parë të vetes sonë. Dhe kjo na bën të jemi pranues për çdo kritikë e sugjerim që synon përmirësimin e sistemit dhe shërbimeve”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës së saj para mjekëve dhe infermierëve, Manastirliu tha se me buxhetin e shëndetësisë për vitin 2022 do të fuqizohet i gjithë sistemi shëndetësor falë të gjitha investimeve që janë duke u kryer dhe atyre që do të kryhen në vazhdim.
“Buxheti 2022 garanton modernizimin e infrastrukturës së shërbimit shëndetësor në të gjitha nivelet, duke nisur nga qendrat e kujdesit parësor, deri tek spitalet universitare. Nis rehabilitimi, zgjerimi dhe pajisja me aparatura të teknologjisë së lartë të Spitalit Infektiv, me standardet e një qëndre reference të sëmundjeve infektive. Nis rikonstruksioni i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.Modernizimi i QSUT – vijon me përfundimi e fazës së parë, të ndërtimit dhe pajisjes me aparatura mjekësore të teknologjisë së avancuar të Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme. Përfundojmë rikonstruksionin dhe pajsjen e Spitalit Pediatrik Elbasan, Maternitetit te Kukesit. Përfundojmë rehabilitimi i Qendrës Kombëtare të Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve dhe vijojmë ndërtimin dhe rikonstruksionin e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Investojmë në rrjetin e imazherisë, duke zhvilluar teknologjinë dhe inovacionin në shërbimet spitalore”, tha Manastirliu në fjalën e saj.

Buxheti 2022, për dy sektorët është 91 miliard 365 milion lekë, për shëndetësinë ky buxhet do të jetë 63 miliard e 515 milion lekë dhe 27 miliard e 850 milionë lekë do të jetë buxheti për programet e mbrojtjes sociale.