Interi i vendos si afat pak më shumë se një muaj për të vendosur të ardhmen Marcelo Brozovicit. Drejtuesit e zikaltërve, sipas “La Gazzetta dello Sport”, i kanë lënë kohë kroatit deri për Krishtlindje që të arrijnë një zgjidhje: rinovim ose lamtumirë.

Kontrata e mesfushorit në fjalë skadon në qershor të vitit 2022 dhe negociatat për rinovimin e saj kanë ngecur prej disa muajsh. Marotta, në përputhje me politikën e klubit, do t’i ofronte kroatit rreth 4 milionë euro në vit, ndërsa 28-vjeçari synon të nënshkruante marrëveshje të ngjashme me atë të Lautaro Martinez, e barabartë me 6 milionë euro në vit.

Negociatat ngecën, siç u përmend, dhe një takim i ri mes palëve ka të ngjarë të zhvillohet ditët në vijim, sepse zikaltrit janë me nxitim për të marrë një vendim dhe planifikuar të ardhmen. Nga ana tjetër, Brozovic po vlerëson interesimin e Atletico Madrid dhe PSG, gati për t’i ofruar më shumë.

Për momentin, megjithatë, largimi në janar duhet të përjashtohet, sepse do të ishte shumë e vështirë për Ausilio dhe Marotta të gjenin një zëvendësues. Pra, nëse është lamtumirë, do të jetë falas dhe verën e ardhshme.