Autoritetet shëndetësore në Greqi paralajmërojnë se mund të arrijnë deri në 10 mijë raste në ditë nga koronavirusi.

Sipas autoriteteve vendi po përballet me valën e pestë të pandemisë, ndërsa ditët e fundit ka pasur një rritje të frikshme të infektimeve.

Ndërsa mjekët, thonë se rastet janë rritur për shkak se njerëzit kanë refuzuar marrjen e vaksinës.

Sakaq, rreth 2,9 milionë njerëz mbi 12-vjeç nuk janë vaksinuar, 600,000 prej të cilëve i përkasin grupmoshës mbi 60 vjeç që është edhe më e rrezikuara, shkruajnë mediat greke.

“Të vaksinuarit po paguajnë një çmim shumë të rëndë tani. Provat shkencore tregojnë se vaksina ndihmon në luftën kundër koronavirusit. Ndërkohë kemi shumë persona të pavaksinuar që kanë humbur jetën gjatë ditëve të para të nëntorit”, ka thënë zëvendësministrja e Shëndetësisë Mina Gaga.

Më tej Gaga duke iu drejtuar qytetarëve bëri apel për vaksinim masiv, për të shmangur një situatë dramatike të Covid.

“Kemi edhe gra shtatzëna të intubuara dhe për këtë duhet të tregohemi të kujdesshëm. I bëj thirrje të gjitha grave shtatzëna, të vaksinohen pas tremujorit të parë. Është shumë e rëndësishëm për sigurinë e nënës dhe fëmijës”, tha ajo.