Politikat progresive në Ballkanin Perëndimor është tema e seminarit, që po zhvillohet në Tiranë në datat 3-7 nëntor 2021 me pjesëmarrjen e dhjetëra të rinjsh aktivistë të Partisë Socialiste dhe partive simotra të saj në rajon.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri përshëndeti aktivitetin, ku ndau me pjesëmarrësit disa teza interesante mbi rolin dhe nevojën e përfshirjes së të rinjve në politikbërje.

“Si t’i mbajmë të rinjtë të angazhuar në debatin publik të politikbërjes? Unë mendoj se kjo është një nga sfidat më të mëdha të kohës tonë. Politika nuk është më si në të shkuarën. Sigurisht që ka disa gjëra që nuk kanë ndryshuar, që janë njësoj, siç është organizmi politik. Partitë politike janë si institucione, sepse çfarë është Partia sot do të jetë vendi nesër! Nëse do të kesh një Parti Demokratike të shëndetshme, do të kesh anëtar të angazhuar dhe do të kesh anëtar të kualifikuar; këtë do të kesh nesër në qeverisje. Kjo do të jetë mënyra sesi do të qeverisësh vendin. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të vijojmë t’i rritim partitë, t’i zgjerojmë, por në të njëjtën kohë, kjo është një nga sfidat që kemi ne, si Parti Socialiste, në mandatin e tretë qeverisës”, u shpreh Gjiknuri.

Gjiknuri u ndal tek roli i të rinjve në ndërtimin e urave të bashkëpunimit rajonal dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

“Në Europën Juglindore ne kemi shumë agjenda të përbashkëta që duhet t’i integrojmë. Ne kemi probleme, por ne jemi pjesë e Europës, kemi një histori të gjatë, ka vende të vogla, por besoj se nëse të rinjtë fillojnë të bashkëpunojnë për të ndërtuar një network, mendoj që është shumë e nevojshme për të ardhmen e qëndrueshme të Ballkanit”, tha ai.

Gjiknuri ftoi të rinjtë të angazhohen në politikë dhe këtë ta shohin si mundësi për kontributin ndaj vendit të tyre, ndërsa u premtoi se do të angazhohej që shumë nga idetë e tyre të jenë pjesë e agjendës politike të PS dhe politikave publike qeverisëse.

Seminari përfshin tema të ndyshme mbi fushata zgjedhore, bashkëpunimi rajonal i të rinjve, etj., të cilat do të prezantohen nga ekspertë të fushave të ndryshme vendas dhe nga rajoni.