Pandemia e nxitur nga Covid-19 nuk ka mbaruar, as në botë dhe aq më pak në Britaninë e Madhe dhe të mendosh kështu është vetëm një iluzion, deklaroi për BBC profesori Jonathan Van-Tam, njëkohësisht edhe zyrtar i lartë për mjekësinë i Anglisë.

”Vaksinimi po jap efektet dhe po frenon infeksionet më të rënda, shtrimet në spital dhe vdekjet, por megjithatë ka një numër shqetësues rastesh në ishull (33 865 dje), ndërkohë që jemi ende në stinën e vjeshtës”, theksoi ai.

”Ka të ngjarë të kemi muaj të vështirë përgjatë dimrit”, shtoi Van-Tam.

Van-Tam vuri në dukje se Britania e Madhe aktualisht ka një shkallë infeksioni më të lartë se mesatarja e shumë vendeve të tjera evropiane dhe u ankua për qëndrimin e përgjithshëm të opinionit publik britanik duke vënë në dukje se ”shumë bashkatdhetarë po sillen sikur pandemia të ketë kaluar”.

Parashikimi i tij personal, nga ana tjetër, është se përpara ka ende “disa muaj të vështirë” dhe një periudhë potencialisht problematike, si ajo e Krishtlindjeve.