Mero Baze

Ilir Meta ka pranuar sot publikisht se ka keqpërdorur postin e Presidentit të Republikës dhe postin e kryetarit të LSI, në funksion të Lulzim Bashës dhe këtë e konsideron si arsye të fort përse tani duhet të mbështes Sali Berishën kundër SHBA.

Së pari Presidenti në detyrë ka pranuar sot publikisht, se ai ka ndërmarrë aktin antikushtetues të anulimit të zgjedhjeve të 30 Qershoit 2019, bazuar në një dëshirë politike të Lulzim Bashës, dhe për ti dhënë një “dalje” aksionit opozitar, pa u konsultuar me aktorët kryesorë politik në vend, Kryeministrin e vendit dhe kryetarin e Kuvendit. Ky akt është konsideruar antikushtetues dhe nga Komisioni I Venecias dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila e ka konsideruar të ligjshëm procesine 30 Qershorit, dhe ka qenë argument kryesor, në vendimin për shkarkimin e Ilir Metës nga detyra e Presidentit të Republikës, prej Kuvendit të Shqipërisë.

Tani Ilir Meta e zbardhi edhe më qartë këtë akt, duke plotësuar faktet dhe duke dëshmuar se e ka bërë për interesa politike. Kaq është e mjaftueshme, që Gjykata Kushtetuese të përshpejtoj aktin e çertifikimit të shkarkimit të Ilir Metës nga President, jo se shqiptarët nuk presin dot dhe 6 muaj sa ti mbaroj mandati, por se një president I tillë, nuk duhet të ik normalisht nga zyra, derisa e ka vënë atë në shërbim të interesave politike, duke rrezikuar dhe stabilitetin e vendit dhe sigurinë kombëtare.

Koha provoi se të gjitha argumentet e Ilir Metës për shtyrjen e zgjedhjeve ishin gënjeshtra, pasi zgjedhjet u kryen më 30 Qershor, asgjë e rënd nuk ndodhi, asnjë protestues nuk humbi jetën edhe pse përdorimi I lëndëve plasëse dhe bombave “molotov” e shtonte këtë rrezik. E vetmja skenë e dhimbshme ishte rrëzimi I Sahit Dollapit, por për fat dhe ajo nuk pati fund tragjik.

E plotësuar dhe me arsyet që zbulon tani Ilir Meta, që sipas tij e kanë shtyrë drejt këtij akti, jemi para një rasti të pastër kur institucioni I presidentit përdoret për shkatërrimin e institucionit të zgjedhjeve për interesa politike.

Kjo sa I përket keqpërdrimit që ai I ka bërë institucionit të Presidentit.

Por deklaratat e sotme dëshmojnë se Ilir Meta ka keqpërdorur po ashtu dhe detyrën e tij reale si lider I një partie opozitare. Ai ka akuzuar sot Lulzim Bashën se ka qenë autor I bojkotit të parlamentit dhe zgjedhjeve të 30 Qershorit. Nuk e di sa I vetëm e ka marrë Lulzim Basha vendimin të djeg mandatet e deputetëve të PD, por ai nuk ka pasur fuqi të djeg mandatet e LSI. Siç dhe e ka pranuar, ai I ka thënë Monika Kryemadhit se LSI nuk është e detyruar të ndjek PD në atë akt dhe brenda LSI ka pasur dilema për këtë nga vet Kryemadhi. Vendimi u mor, kur Petrit Vasili në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LSi foli në emër të Ilir Metës dhe u vendos të digjen mandate e LSI. Pra Lulzim Basha nuk ka djegur mandatet e LSI, por të PD. Të LSI I ka djegur Ilir Meta.

Po ashtu pretendimi I tij për tu rregjistruar Partia Demokratike në zgjedhjet e shpikura të 13 tetorit, është qesharak, pasi zgjedhjet u kryen më 30 Qershor, u pranuan ligjërisht dhe ndërkombëtarisht, dhe 13 Tetori nuk ishte datë kundër zgjedhjeve, por datë për një revolcion kundër Pernëdimit. Si Foltorja e Sali Berishs sot.

Lulzim Basha nuk e ka bërë atë gafë, as atëhere as tani. Dhe kjo është arsyeja e vetme pse janë bërë kundër tij në fillim Ilir Meta dhe më pas Sali Berisha. Lulzim Basha është lideri I opozitës që ka bërë aktet më radikale në historinë e Shqipërisë dhe unë besoj se ai ka shpresuar tek fabula e diegies mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve, por nuk e ka kaluar asnjëhere vijën e kuqe që I ka vendosur perëndimi per këto akte. Ai ka pranuar në heshtje me dhimbje dhe opozitën parlamentare që e zëvendësoi dhe ndaljen e molotovit më 30 Qershor. Tek 13 tetori si kryengritje kundër Perëndimit vetëm Ilir Meta mund të regjistrohej, por dhe ai u detyrua që atë ditë të luante vojleboll në Lalëz, duke dështuar në rolin e tij si “kryengritës kundër SHBA”. Tani që mendon se Berisha po ja del me “Foltoren kundër SHBA, duket që ka marrë zemër, por njësoj si Berisha, edhe ky, betejën me SHBA e maskon pas betejës me Lulzim Bashën. Kjo nuk I nderon të dy, që edhe duan ta poshtërojnë Lulin si një grua frikacake, edhe fshihen pas fustanit të tij kundër SHBA.

Me ato q ëka thënë sot, duke qenë se zgjedhjet janë institucioni më I rëndësishëm I mbajtjes në këmbë të sistemit të demokracisë, Ilir Meta tani është para gjithë provave që mund të merret I pandehur pas daljes nga ajo zyrë, për komplot ndaj shkatërrimit të zgjedhjeve. Nuk e di cili nen mund ta kap, por është pak a shumë brenda asaj fjalisë, si “minues I demokracisë” siç e ka përshkruar Depratamenti I Shtetit aleatin e tij Sali Berisha.