Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi ka zbuluar se cfarë bëri në momentin kur iu kërkua që të ndërtonte strategjinë për buxhetin 2022 dhe 2029.

Muzhaqi zgjodhi që të bisedonte me persona më të vjetër në këtë fushë që të merrte këshilla se si duhet ta kryente këtë detyrë ndërsa para studentëve tha se falë bisedave që ka zhvilluar me ta, është dakordësuar mbi një linjë problematikash dhe sot, një pjesë do të mund të marrin zgjidhje.

Muzhaqi: Do të thyej pak protokollin sot. Do të filloj duke ju përshëndetur të gjithë ju që keni ardhur këtu dhe më vjen keq që nuk arrita të mbledh vetëm 800 prej jush. Më tej, i nderuar kryeministër dhe të nderuara vajza që folët sot. Kur fillova detyrën, më thanë që duhet të ndërtoja strategjinë për buxhetin 2022 dhe 2029. Si e re në këtë fushë, pyeta ata që janë më të vjetër.

Më thanë që kishin ndërtuar grupe shumë të mëdha që kishin lidhje në mënyrë direkte ose indirekte me rininë. Tani besoj që më mirëkuptoni që nuk ishte mënyra se si doja të zhvilloja këtë detyrë. Ne filluam strategjinë me mendimet tuaja. Në të gjithë takimet kishte vetëm një rregull që nuk mund të flisnim për gjërat që shkojnë mirë, por për ato që duhen ndryshuar dhe nuk shkojnë mirë.

Ju keni nxjerrë plot sfida dhe problematike në takimet që keni zhvilluar. Këshillim karriere, pasurim i bibliotekave, si dhe mbështetje financiare për transportin e studentëve në zona rurale, tekstet arsimore si dhe kalimi i kohës nëpër kafene sepse nuk keni mundësi për të krijuar aktivitetet tuaja të argëtimit janë disa nga problematikat që kemi biseduar. Falë këtyre bisedave, kemi dakordësuar mbi një linjë problematikash dhe sot, një pjesë do të mund të marrin zgjidhje.