Deri në 4 janar, kompanitë me 100 ose më shumë punonjës në SHBA duhet tu kërkojnë atyre të vaksinohen plotësisht ose të testohen të paktën një herë në javë për koronavirusin. Shtëpia e Bardhë publikoi rregullat e reja të vaksinimit kundër COVID-19, të cilat janë të ngjashme me ato të punonjësve të kujdesit shëndetësorë. Sipas rregullave, të nxjerra nga Administrata e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë zyrat duhet të ofrojnë leje nga puna për punonjësit për të bërë vaksinat. Po kështu, punonjësit e pavaksinuar duhet të mbajnë maska në vendin e punës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, rregullat do të prekin 84 milionë punonjës dhe rreth 17 milionë punonjës të kujdesit shëndetësor në 76,000 objekte, përfshirë spitalet dhe objektet e kujdesit afatgjatë. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se punëdhënësit që nuk respektojnë rregullat mund të përballen me gjoba deri në 14,000 dollarë për shkelje. Ata mund të kërkojnë të përjashtohen nga zbatimi për arsye mjekësore ose fetare. Me anë të një deklarate, Presidenti Joe Biden tha se ai e sheh këtë si një zgjedhje të thjeshtë: “Vaksinoni më shumë njerëz ose do të zgjasni këtë pandemi dhe ndikimin e saj në vendin tonë.”