Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2020 ka prezantuar edhe programin për të gjithë të rinjtë dhe fëmijët.

Muzhaqi tha se duke nisur nga muaji janar është planifikuar një shtesë në kostot e transportit për fëmijët që kanë shkollën larg.

Me fondet e ngritura do të pasurohen bibliotekat, do të rikonstruktohet shkolla dhe palestra, po ashtu investimi në laboratorë është pjesë e buxhetit.

“Duke filluar nga janari kemi planifikuar një shtesë në kostot e transportit për fëmijët që e kanë shkollën larg. Për bibliotekat se kemi harruar, jemi duke punuar dhe ngritur fondet për të pasuruar bibliotekat tuaja. Rikonstruktimi i shkollave dhe palestrave është në listë tonë. Laboratorët janë diçka që do e trajtojmë, duke filluar nga janari. Programi që kam më përemër është që i jep shpirt dhe jetë, artet, zejet. Me mbështetjen e UNICEF po punojmë çdo ditë. Fushat i kemi përcaktuar bashkë por s’jemi limituar por duam që të kemi klasën për pikturën, kërcimin, instrumentet muzikorë. Një pjesë e rëndësishme e programit do jetë aspekti sportiv, që ta bëni pas shkolle”, u shpreh ministrja.

Muzhaqi ka një dëshirë të madhe: të shohë palestrat të gumëzhijnë nga nxënësit jo vetëm gjatë orarit të shkollës por edhe jashtë saj! Muzhaqi thotë se do të investohet edhe në mbjelljen e tokave në disa shkolla për të mësuar pak më tepër rreth fushës së bujqësisë. Pjesë e programit është edhe tregu i koduesve dhe revolucioni digjital.

“Dëshira e madhe është të shoh palestrat të gumëzhijnë jo vetëm gjatë orarit të shkollës. Surprizë për mua ka qenë dëshira për aktivizim në aktivitetet vullnetare dhe kjo do të ketë një vend të rëndësishëm në vullnetar. Ky është ambienti që do trashëgoni sepse ne më të rriturit do ikim më herët. Ju të parët mund të mësoni më të vegjëlve dhe të rriturve si të kujdeseni për ambientin që keni. Duke thënë këtë është një temë tjetër, ne jemi vend bujqësor por nga ana tjetër edhe ju duhet të mësoni më shumë si të kujdeseni për tokën dhe mirë ushqyerjen dhe ne kemi dëshirë që të mbjellim tokën në disa shkolla. Qëllimi nuk është t’ju bëjmë fermer po të mësoni pak më shumë rreth kësaj fushe. Ne jemi duke ecur përpara në revulucionin digjital. Dëshira jonë është të jemi konkurrues në tregun e koduesve. Këto programe fillojnë shtatorin e ardhshëm, kontrubuti juaj ka qenë shumë i vlefshëm”, tha më tej ministrja.