Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në mbledhjen e organizuar nga Ministria e Arsimit për prezantimin e buxhetit të vitit 2022. Në fjalën e tij Rama është shprehur se në mandatin e tretë qeverisës synimi është rritja e pagave të mësuesve me 40%, por kjo sipas tij lidhet me atë çfarë dimë se do ndodhë dhe jomë atë se çfarë nuk dimë.

Duke iu referuar tërmetit dhe pandemisë, Rama tha se në mandatin e dytë këto kanë qenë dy ngjarje që kanë ndikuar në shpërndarjen ndryshe të buxheteve për vitet përkatëse.

Rama: Së pari në buxhetin e 2022 vijon rritja e pagave për të gjithë mësuesit dhe projeksioni i yni i mandatit të 3 është që pagat të rriten padiskutim edhe 32%, por mundësisht të realizojmë objektivin e rritjes 40% të tyre. Kur them mundësisht kjo lidhet me sa ne dimë dhe planifikojmë sot, por edhe me çka nuk e dimë dhe mund të na shfaqet para.

Tani jemi të vetëdijshëm sa shumë ndërhyjnë në planet tona ngjarje që janë jashtë mundësive tona për t’u parashikuar dhe imponojnë ndryshime rrënjësore të planeve. Patëm një tërmet të fortë, jemi ende në kushtet e një pandemie që pati dhe vazhdon të ketë ndikimin e vet, por sidoqoftë ne do vazhdojmë të synojmë objektivat maksimalë dhe nëse ky vit mbyllet përsëri me një rritje pagash për ju.

E njëjta gjë vlen të thuhet për rritjen e buxhetit në mbështetje të arsimit, shkollave, që vazhdon dhe duke adresuar disa elementë të procesit siç është transporti, që janë elementë që mbeten problematikë në jetën e përditshme të mësuesve dhe nxënësve që duhet të spostohen në një distancë të caktuar nga vendbanimi i tyre që kërkon transport dhe mbështetje.