Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në seancën dëgjimore në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, deklaroi se me Buxhetin e 2022 do të financohet për herë të parë paketa e kujdesit të syve për fëmijët 4-14 vjeç dhe që do të përfitojnë mbi 300 mijë fëmijë.

“Financojmë për herë të parë paketën e kujdesit të syve për fëmijët 4-14 vjeç si një program kujdesi universal falas për mbi 300 mijë fëmijë që do të sigurojnë konsultat e syve falas sipas protokolleve mjekësore”

Në buxhetin vjetor prej mbi 8 miliard lekë për mbështetjen e programit të kujdesit parësor do të financohet mbulimi i kontrollit mjekësor bazë, do të financohen vizitat mjekësore falas tek mjeki i familjes, vizitat dhe ekzaminimet tek mjeku specialist sipas hallkave të sistemit të referimit dhe do të rimbursohen barnat për kategoritë e siguruar dhe të pasiguruar për rreth 450 mijë pacientë.