Ish-portieri i Juventusit, aktualisht te Parma në Serie B, Gianluigi Buffon ishte protagonisti i një interviste të gjatë për programin sportiv “Tiki Taka”. të transmetuar në Italia 1. Mes çështjeve të ndryshme të trajtuara nga legjenda e Juventusit dhe kombëtares italiane ishte eksperienca jo idilike e Maurizio Sarri në stolin bardhezi, në sezonin 2019-2020:

“Trajneri ka pasur shumë vështirësi. Është një marrëdhënie që ka pasur vështirësi fillestare. Kur erdhi pati një fërkim të vogël me dikë dhe kjo bëri që shkëndija të mos shuhej. Mendoj se lloji i punës që Sarri ishte mësuar të bënte, dhe mendonte se mund të bënte te Juve, nuk shkonte.

Ai e kuptoi se do të duhej ta shihte përsëri metodën e punës dhe të ndërmjetësonte. Sepse shpesh në ekipe të caktuara duhet të ndërmjetësosh. Kjo gjë për të dukej poshtëruese. Dhe pastaj mund të shihje se ai nuk kishte atë entuziazëm që ka zakonisht”.

Disa fjalë edhe për kolegun dhe adashin e tij, Gianluigi Donnarumma, i cili po përjeton një moment të vështirë pas kalimit te PSG: “Unë mendoj se Donnarumma ka bërë një zgjedhje më se të justifikuar. Edhe nëse ka vështirësi këtë sezon, do të jetë titullar në të ardhmen jo të afërt”.