Lideri i Partisë Demokratike, gjatë një interviste, i është rikthyer marrëdhënies së tij me themeluesin e partisë, ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e vendit, Sali Berisha.

Berisha gjatë takimeve publike të ”Foltores”, e ka akuzuar Bashën edhe për prerje të besës. Një akuzë, kjo, që lideri demokrat refuzon. “është një nga sulmet më të ulëta që është bërë në këto 2 muaj nga Sali Berisha.

Nuk ka patur kurrë një besë midis meje dhe Sali Berishës për t’i rënë me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cenohej interesi i njërit apo i tjetrit, për të mbrojtur shpinën e njërit apo të tjetrit. Me Sali Berishën na ka lidhur një tjetër besë nëse mund ta them këtë. Besa e vlerave euroatlantike, që na çoi dhe e çoi Shqipërinë në NATO”, janë fjalët e tij.

Basha shtoi se “që pas 9 shtatorit gjithkush është shtangur nga etiketimet që Sali Berisha ka bërë ndaj meje. Natyrisht unë nuk kam ndërmend të shkel mbi vitet e bashkëpunimit me të, në të mirë të shqiptarëve dhe Shqipërisë”.