Barbados, ishulli i Karaibeve, deri tani nën juridiksionin britanik dhe të mbretëreshës Elizabeth II shpalli krijimin e republikës, ndërkohë që presidente u zgjodh Dame Sandra Mason.

Lidhjet e Barbadosit me monarkinë britanike, u ndërprenë kur presidentja Mason, u betua në detyrë duke zëvendësuar kështu mbretëreshën Elizabeth II, si kreun e shtetit, gjatë një ceremonie në kryeqytetin Brixhtaun.

Në një mesazh drejtuar presidentes dhe popullit të Barbados, Elizabeth II i dërgoi republikës së re “urimet më të ngrohta për lumturinë, paqen dhe prosperitetin në të ardhmen” dhe lavdëroi kombin që ka një “vend të veçantë” në zemrën e saj për “kulturën e gjallë, aftësinë në sporte dhe bukuritë natyrore”.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson tha se vendi i tij dhe Barbadosi do të mbeteshin “miq dhe aleatë të palëkundur” me “një partneritet të qendrueshëm”.

Princi Charles përcolli edhe momentin simbolik teksa flamuri i mbretëreshës Elizabeth II u ul për herë të fundit dhe flamuri presidencial u ngrit në vend të tij, sot më 30 nëntor, në 55-vjetorin e pavarësisë nga Britania e Madhe.

Charles u tha të ftuarve, përfshirë kryeministren e Barbadosit, Mia Mottley dhe këngëtaren Rihanna se “krijimi i kësaj republike ofron një fillim të ri, por gjithashtu shënon një pikë në vazhdimësi dhe një moment historik”