Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “Gjykata Kushtetuese ka hyrë në afatet kushtetuese për t’u shprehur mbi vendimin e Kuvendit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta”.

Në një prononcim për mediet nga selia e Kryesisë së Kuvendit, Balla tha se “Presidenti aktual i Republikës është shkarkuar me vendim të Kuvendit në qershor të këtij viti”.

“Gjykata Kushtetuese ka hyrë në afatet e veta kushtetuese për t’u shprehur për këtë çështje. Kushtetuta na detyron që Presidenti i Republikës të vazhdojë të jetë në detyrë deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Është përsëri në respekt të vlerave kushtetuese që mos të flasim për këtë çështje sa kohë të flasë Gjykata Kushtetuese. Ne e kemi përfunduar vendimin për këtë çështje me votë në Kuvend. Kur flet gjykata duhet ta respektojmë”, tha Balla.

Ndërkohë, ai theksoi se dialogu me opozitën do të vazhdojë në kuadrin institucional. Balla informoi se ditën e hënë merr udhë komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore ku natyrshëm do të shqyrtohen të gjitha kërkesat. “Në këtë mënyrë funksionon demokracia”, tha ai.