Në hapjen e procesit për zgjedhjet e drejtueseve të reja në Forumin Demokrat të Gruas, Albana Vokshi pati përplasje me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Vokshi tregoi debatin që ajo pati me kreun e PD, duke bërë të ditur se gjithçka ka nisur pas deklaratës së të dielës, kur Basha tha se koha e Berishës ka mbaruar.

“Ishte një mbledhje shumë e shkurtër, e filluar nga Basha, i cili foli për rendin e ditës, marrjen e mungesave të komisioneve nëpër komisione. Në momentin që unë mora fjalën, si kryetare, unë refuzova të marr mungesat e deputetëve, pasi ata janë të zgjedhur me votë.

Çështja tjetër që doja të flisja dhe e ngrita si shqetësim, ishte deklarata e djeshme e Bashës para selisë së PD. Një deklaratë që jo vetëm mua, i ka shokuar dhe zhgënjyer. Unë thash se distancohesha nga deklarata e tij se koha e Berishës ka përfunduar.

Këto deklarata nuk më përfaqësojnë mua dhe u distancova. Unë i vura në dukje se ai nuk mund të flasë në emrin tim dhe në emrin e shumë demokratëve. Në momentin që unë iu referova deklaratës së Bashës, ai mbylli mbledhjen. Tha që nuk është çështje e rendit të ditës dhe iku”, u shpreh Vokshi në Debat në A2 CNN.

Më tej, Vokshi u bëri thirrje edhe deputetëve të tjerë të PD që të bashkohen me Foltoren nëse nuk i pëlqen mendimi i Bashës.

“Unë do të vazhdojë që mendimet e mia t’i shpreh në formuet e partisë. Këtë e kam kërkuar edhe nga kolegët e mi. Unë ftoj çdo deputet tjetër që nën zë nuk i pëlqen mendimi i Bashës, të na bashkohet”, u shpreh Vokshi.