Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca ka sqaruar shprehjen “Akademia e Barinjve”, e cila bëri xhiron e rrjetit.

Teksa prezantonte buxhetin 2022 për sektorin që ajo mbulon, Krifca tha se kishte pasur një keqkuptim për atë që ajo kishte shprehur dhe se qëllimi kishte qenë të jepnin mbështetje për personat që e ushtrojnë atë profesion.

“Ka pasur një keqkuptim të ndodhur me artikulimin e fjalës akademi. Unë kërkova ndjesë për mënyrën se si u drejtova deputetes, është pjesë e emocioneve dhe entuziazmit mes kolegëve. Në lidhje me fjalën akademi, nuk e kemi shpikur, e kemi parë në disa vende të botës, Zvicër e shumë të tjera. Ka një qasje të migrimit të profesionit, të atyre të vështira, po përpiqemi që të japim mbështetje për këtë profesion. Unë që në periudhën time si drejtoreshë, jam konsultuar. Është një program që do ta përforcojmë për ta ruajtur traditën, jo vetëm te barinjtë por dhe të fermerëve të rinj, do kemi kohë ta shpalosim programin në vijim. Desha ta sqaroj se ka pasur vëmendje dhe në media”, tha Krifca.

Më tej ajo dha edhe disa detaje lidhur me buxhetin e përcaktuar për ministrinë e Bujqësisë.

“Programi i sigurisë ushqimore, në vitin 2022 do të kemi një buxhet të lartë për sigurinë ushqimore me 2.3 miliardë lekë. Siguria ushqimore është e rëndësishme prandaj do të investojmë në kapacitete, higjienë dhe paketim. Do të pajisim 120 grupet e AKU-së me të gjithë pajisjet e duhura teknologjike për të bërë inspektimet. Do të matrikullojmë dhe vaksinojmë të gjithë kapacitetin tonë blegtoral që është një pasuri kombëtare. Nëpërmjet forcimit të dy autoriteteve kontrolluese që tashmë kontrollojnë të gjithë territorin për ushqimin, veterinarinë dhe bimët do të sigurojmë efektivitet me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit shqiptar.

Kemi përditësuar edhe regjistrin e fermerit që evidentojnë të gjithë fazat e zinxhit përfshirë edhe përdorimin e pesticideve. Buxheti i vitit 2022 do teë ketë si synim edhe fillimin e punës së librit të fermerit si një mekanizëm i pagabueshëm për prodhimin dhe eksportet. Programi i infrastruktturës, kullimit dhe ujitjes ka një buzhet prej 1.7 miliardë lekësh. Synon mbështetje të vazhdueshme për rritjen e prodhimit bujqësor”, vijoi Krifca.