Një burrë që ua bëri jetën “ferr” fqinjëve të tij duke dëgjuar këngët e James Blunt gjatë natës, është gjobitur me 1400 paund. Muzika e lartë që Mark Carey vendoste në shtëpinë e tij në Plymouth, Angli shqetësonte fqinjët, duke u shkaktuar stres, lodhje dhe ankth.

49-vjeçari madje i kishte keqtrajtuar ata kur e kishin kundërshtuar për zhurmën. Pas disa ankesave në këshill, Carey-t iu dha një Njoftim për Mbrojtjen e Komunitetit në tetor 2020, pasi kishte injoruar tre letra të mëparshme që e paralajmëronin për zhurmën që shkaktonte.

Pas disa ankesave, fqinjët e tij bënë regjistrime audio të muzikës që luhej në “nivele të papranueshme” gjatë natës. U dëgjuan regjistrime audio që shfaqnin Blunt dhe Coldplay dhe oficerët sekuestruan televizorë, altoparlantë dhe pajisje të tjera muzikore nga shtëpia e tij.

Këshilltari John Riley, anëtar i kabinetit për sigurinë e komunitetit në Këshillin Bashkiak të Plymouth, tha: “Secili ka të drejtë të jetojë i qetë në shtëpinë e tij, kjo është arsyeja pse ne nuk do të hezitojmë të ngremë ndjekje penale kundër njerëzve që përpiqen t’ua heqin atë të drejtën e tyre.”