Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të enjten ka bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë. Sipas këtyre rezultateve, 21 komuna do të garojnë në rundin e dytë në balotazh, ndërsa në 17 komuna është vendosur fituesi në raundin e parë. Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, pas shpalljes së rezultateve bëri të ditur se ekziston mundësia e ankesës për këto rezultate brenda 24 orëve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP). Një ndër çështjet që nxiti diskutim gjatë mbledhjes për shpalljen e rezultateve ishte rezultati për komunën e Hanit të Elezit. Kjo për shkak se zgjedhjet në këtë komunë janë kontestuar nga kandidati i pavarur, Rufki Suma, i cili sipas rezultateve preliminare u mund nga kundërkandidati nga Partia Demokratike e Kosovës, Mehmet Ballazhi. Suma ishte ankuar në PZAP duke kërkuar përsëritje të votimit për shkak të “presionit ndaj votuesve”.

PZAP-ja kishte marrë vendim për përsëritje të votimit në të gjithë Hanin e Elezit, mirëpo Gjykata Supreme kishte vendosur që kjo çështje të rivendoset në PZAP. PZAP-ja në vendimin e dytë, të marrë më 28 tetor, hodhi poshtë kërkesën e Sumës për përsëritje të votimit. Aktualisht, lidhur me këtë vendim po rrjedh ende afati për ankesë në Gjykatën Supreme. Kreshnik Radoniqi në argumentimin e tij për shpalljen e rezultateve përfundimtare edhe për Hanin e Elezit tha se sot po bëjnë shpalljen e rezultateve e jo certifikimin e tyre. Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, rundi i dytë i zgjedhjeve ndërmjet dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme, mbahet ditën e diel, katër javë pas rundit të parë. Në këtë rast i bie që rundi i dytë do të mbahet më 14 nëntor.

Rezultatet përfundimtare për kryetarë komunash:

Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara të enjten, në Komunën e Deçanit i ka fituar zgjedhjet Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK). Në Mitrovicën e Jugut zgjedhjet i fitoi Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK). Në Lipjan, në rundin e parë fitoi kandidati Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK). Në Suharekë, zgjedhjet për kryetar i fitoi Bali Muharremaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK). Pejën e fitoi Gazmend Muhaxheri nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK). Në Ferizaj, në rundin e parë fitoi Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK). Ndërkaq ,në Hanin e Elezit fitues doli Mehmet Ballazhi nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK). Partia serbe, Lista Serbe, ka fituar më së shumti komuna në këto zgjedhje lokale. Kjo parti ka arritur të fitojë në nëntë komuna, të cilat janë të banuara me shumicë serbe. Pa balotazh, Lista Serbe ka fituar në Leposaviq me kandidatin Zoran Todiq, në Zubin Potok me Sërxhan Vuloviqin, në Zveçan me Dragisha Milloviqin, në Mitrovicë të Veriut me Milan Radojeviqin, në Graçanicë me Liljana Suboviqin, në Novobërdë me Sasha Millosheviqin, në Shtërpcë me Dalibor Jevtiqin, në Ranillug me Katarina Ristiqin dhe në Partesh me Dragan Petkoviqin.

Komunat që do të garojnë për rundin e dytë:

Në Komunën e Gllogovcit do të ketë balotazh mes Ramiz Lladrovcit të PDK-së me 45.50 për qind të votave dhe Driton Ajazit nga Demokratët për Drenasin me 30.50 për qind të votave. Gjilani do të ketë balotazh ndërmjet Lutfi Hazirit nga LDK-ja që mori 43.51 për qind të votave, dhe Alban Hysenit nga LVV-ja që mori 44.71 për qind të votave.
Komuna e Gjakovës do të ketë balotazh ndërmjet Ardian Gjinit të AAK-së me 45.76 për qind të votave dhe Mimoza Kusari-Lilës së LVV-së me 37.20 për qind të votave. Komuna e Kaçanikut do të ketë balotazh mes Besim Ilazit nga PDK-ja me 44.67 për qind të votave dhe Jeton Rakës nga LVV-ja me 33.36 për qind të votave. Dragashi në balotazh do ta ketë Bexhet Xheladinin nga LDK-ja që mori 35.69 për qind të votave dhe Shaban Shabanin nga PDK-ja që mblodhi 32.56 për qind tëvotave. Burim Berisha i LDK-së me 49.72 për qind të votavedhe Enver Bajçinca nga LVV-ja me 25.58 për qind të votave, do të jenë në balotazh për Fushë Kosovën. Në Istog në balotazh do të jenë Ilir Ferati i LDK-së me 41.09 për qind të votave të fituara dhe Bekë Berisha nga AAK-ja me 24.49 për qind të votave.

Balotazhi në komunën e Obiliqit zhvillohet ndërmjet Xhafer Gashit nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin me 48.12 për qind të votave dhe Halil Thaçit të LVV-së me 20.19 për qind të votave. Në komunën e Klinës në balotazh shkojnë Zenun Elezaj nga AAK-ja me 43.33 për qind të votave dhe Esat Raci nga PDK-ja me 27.42 për qind të votave. Në Kamenicë në balotazh shkojnë Qëndron Kastrati nga PSD-ja me 32.52 për qind të votave dhe Kadri Rahimaj nga LVV-ja me 31.01 për qind të votave. Në balotazh në Rahovec do të jenë Smajl Latifi i AAK-së me 47.18 për qind të votave dhe Visar Korenica i LVV-së me 24.84 për qind të votave. Komuna e Podujevës shkon në balotazh ndërmjet Ekrem Hysenit të LDK-së me 44.20 për qind të votave dhe Shpejtim Bulliqit të LVV-së me 44.16 për qind të votave. Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, shkon në garën e balotazhit ndërmjet Arben Vitisë së LVV-së me 45.54 për qind të votave dhe Përparim Ramës së LDK-së me 29.17 për qind të votave.

Në Viti në balotazh shkojnë Sokol Haliti i LDK-së me 41.30 për qind të votave dhe Arsim Ademi i LVV-së me 34.50 për qind të votave. Në Prizren në balotazh takohen Mytaher Haskuka i LVV-së me 40.41 për qind të votave dhe Shaqir Totaj nga PDK-ja me 31.36 për qind të votave. Komuna e Junikut shkon në balotazh mes Agron Kuçit nga AAK-ja me 45.19 për qind të votave dhe Ruzhdi Shehut të LDK-së me 42.01 për qind të votave. Komuna e Malishevës shkon në balotazh mes Ekrem Kastratit nga Nisma Socialdemokrate me 34.08 për qind të votave dhe Isni Kilajt të PDK-së me 28.82 për qind të votave. Në Vushtrri në balotazh kanë shkuar Ferit Idrizi i PDK-së me 10 247 vota ose 34.81 për qind, dhe Xhafer Tahiri i LDK-së me 9 956 vota ose 33.82 për qind. Në Shtime në balotazh garojnë Qemajl Aliu i VV-së me 45.29 për qind të votave dhe Naim Ismajli i PDK-së me 44.23 për qind të votave. Kllokoti shkon në balotazh mes Vladan Bogdanoviqit nga Lista Serbe me 41.01 për qind të votave dhe Strahinja Spasiq nga Gi Srpska Narodna Sloga me 36.33 për qind të votave. Komuna e Mamushës shkon në balotazh me Abdulhadi Krasniqi nga Kosova Demokratik Turk Partisi me 48.92 për qind të votave dhe Arif Butuqi nga Kosova Adalet Turk Partisi me 36.95 për qind të votave.