Zgjatja e mandatit për organet vettingun është një domosdoshmëri dhe Reforma në Drejtësi nuk është diçka për t’u negociuar me opozitën, por është diçka për t’u kryer dhe se nuk ka kthim pas.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama për gazetarët, teksa u pyet nëse ka një pazar mes tij dhe kreut të PD-së Lulzim Basha në lidhje me votimin për të zgjatur afatin e vettingut. Kreu i qeverisë tha se kjo Reformë është në partneritet me ndërkombëtarët, BE dhe SHBA-në dhe kush i del kundër u del kundër partnerëve ndërkombëtar.

‘Zgjatja e mandateve të organeve të vettingut është një domosdoshmëri, e cila vjen si rezultat i një procesi që e ka treguar sesa i vyer që është për pastrimin e llumit nga sistemi i drejtësisë dhe për të nxjerrë në pah njerëzit me integritet dhe ky proces nuk mund të ndërpritet. Reforma në Drejtësi është një Reformë në partneritet me partnerët tanë ndërkombëtar dhe besoj se vija është shumë e ndarë. Reforma në Drejtësi nuk është diçka për t’u negociuar është diçka për t’u kryer. S’ka kthim mbrapa as qëndrim në vend numëro. Kush i bie ndesh interesave të Reformës në Drejtësi i bie ndesh vendit dhe aleatëve ndërkombëtar.’- tha Rama.