“Zona Zero” në Top News zbuloi këtë të premte kërkesën e drejtuar nga një shqiptar, shtetas amerikan për Departamentin e Shtetit për shpalljen “non grata” të Sali Berishës. Personi në fjalë, që gazetari Thimi Samarxhi saktësoi se ishte shqiptar nënshtetas amerikan dhe i njohur si mbështetës i Sali Berishës, për momentin preferoi të mbetet anonim. Por, ai ofroi ekskluzivisht për “Zona Zero” në Top Neës përgjigjen e kthyer nga DASH.

Nga përgjigja kuptohet se kërkesa e drejtuar Departamentit të Shtetit është bërë në bazë të aktit të lirisë së informacionit, ndërsa përgjigja e DASH është negative.

“Zyra jonë e refuzon kërkesën tuaj sepse nuk përshkruan saktësisht arsyet se përse kërkohen të dhënat në fjalë. Kërkesa duhet të përmbajë një përshkrim të shkurtër dhe të qartë për të dhënat e Departamentit, në mënyrë që personeli të vihet në kërkim të këtyre të dhënave. Këto detaje mungojnë si në subjekt, kohën, emrin e personave të përfshirë, një numër kontakti dhe arsyen se përse aplikanti mendon se Departamenti mund të ketë rekorde që i interesojnë”, thuhet në përgjigjen e DASH.

Kërkesa për informacion e shqiptarit me nënshtetësi amerikane është dorëzuar më 8 qershor dhe sipas dokumentit të siguruar nga “Zona Zero”, ajo është marrë për përpunim një ditë më vonë. Subjekti ishte vënia në dispozicion të provave që çuan në shpalljen e Sali Berishës “non grata” në periudhën kohore nga 1 janari 2000 deri në 8 maj të 2021./SHQIP