Serbia shprehet e kënaqur me zbatimin e fazës së parë të marrëveshjes për targat me Kosovën.

Kryenegociatori i Beogradit për Dialogun, Petar Petkoviç, tha se tërheqja e njësive speciale të policisë së Kosovës po vijon siç ishte rënë dakord në Bruksel, po ashtu edhe heqja e bllokadave në rrugë.

“KFOR-i ndodhet atje dhe ka një mandat për këtë, ndërsa njerëzit tanë do të tërhiqen nga rrugët. I gjithë tranzicioni ka filluar, ne jemi në fazën e parë të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, dhe regjimi i letër ngjitësve në targa do të fillojë të hënën”, u shpreh Petkoviç.

Kryenegociatori shtoi më tej se marrëveshja për uljen e tensioneve në veri të Kosovës ishte një fitore për Serbinë, pasi qytetarët serbë nuk do t’i heqin më targat e automjeteve apo të marrin një targë provizore, që kushton 5 euro, për të hyrë në Kosovë.