‘Ballkani i Hapur’ është mënyra e vetme për të sjellë zhvillim në vendet e rajonit, kështu është shprehur ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka gjatë fjalës së saj në edicionin 7, të Forumit të Ndërlidhjes Infrastrukturore me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Europës.

Xhaçka u ndal edhe në procesin e integrimit evropian, ku tha se Shqipëria ka mbështetjen e vendeve që dikur ishin skeptike kundrejt arritjeve të vendit tonë. Ministrja u shpreh se ëndrra evropianie mbetet një ndër fokuset kryesore të Ballkanit, por sipas Xhaçkës vendet e rajonit kanë kuptuar që nuk mund të mbeten më peng i BE-së.

“Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor si një i tërë duan që të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Në Shqipëri në fakt, mbështetja për integrimin evropian është në nivele që sot janë të paimagjinueshme për çdo vend anëtar. Dhe sigurisht që jemi duke punuar fort, për të bërë gjithçka për të ngushtuar hendekun e zhvillimit, modernizimit, sundimit të ligjit që na ndan nga BE. Është bërë vërtet shumë punë dhe shumë progres, të cilat janë njohur sot edhe nga ato që ishin dikur shtetet më skeptike kundrejt arritjeve të Shqipërisë e Ballkanit Perëndimor. Pra, ajo që ka ndryshuar, nuk është dëshira dhe përkushtimi jonë ndaj ëndrrës evropiane. Ajo që ka ndryshuar është që ne kemi kuptuar që nuk mund të presim më vetëm nga BE dhe që paradigma që ka përkufizuar raportin tonë me BE duhet të ndryshojë”, tha Xhaçka.

Edicioni 7 i Forumit të Ndërlidhjes Infrastrukturore me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Europës u mbajt edhe ditën e djeshme, ku ka mbajtur fjalën kryeministri Edi Rama, i cili tha se zgjerimi dhe anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në union është përherë e më pak retorikë e Bashkimit Evropian. Sipas tij procesi i zgjerimit mund të kërkojë shumë kohë. Ai u ndal edhe te iniciativa e ‘Ballkanit të Hapur’, teksa theksoi se është njësia e zbatimit të Procesit të Berlinit.