Teuta ka arritur të fitojë minimalisht 0-1 ndaj Egnatias në shtëpinë e këtyre të fundit që deri tani kishte marrë statusin si surpriza e kampionatit. Skuadrës durrsake i ka mjaftuar penalltia e shndërruar në gol në minutën e 80′ nga kapiteni Sherif Kallaku. Një triumf që e kthen te fitorja skuadrën e drejtuar nga Edi Martini pas asaj humbjeje ndaj Tiranës javën e kaluar në stadiumin Elbasan Arena.

Me këtë sukses, Teuta ngjitet në vendin e dytë në kuotën e 11 pikëve, po aq sa Tirana e vendit të parë që pret të bëjë ndeshjen e saj ndaj Partizanit në derbi të hënën në mbrëmje. Ndërsa Egnatia pas kësaj disfate klasifikohet në vendin e 5 në kuotën e 8 pikëve.