Sot do të fillojë java e 12-të në Superligën e Kosovës në futboll. Në program gjatë ditës së sotme janë tri ndeshje mjaft interesante. Nënkampionia e Kosovës, Drita do ta presë ekipin e promovuar në Superligë, Malishevën. Gjilanasit kërkojnë fitore për të mbajtur hapin me kreun e tabelës, kurse malishevasit do të ishin të kënaqur edhe me një barazim nga kjo sfidë.

Duel tjetër që luhet sot është ai mes Dukagjinit të Klinës dhe Gjilanit. Dukagjinit i nevojitet fitorja për t’i ikur vendeve të fundit, kurse Gjilani kërkon që me fitore sot ta marrë përkohësisht primatin në tabelë.

Ndeshja e tretë dhe e fundit e ditës së sotme është ajo mes Feronikelit dhe Llapit që luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi”. Llapi me fitore synon t’u afrohet tri pozitave të para, kurse “Industrialistët” gjenden në vendin e fundit në tabelë dhe medoemos ju duhet fitorja. Të trija këto takime fillojnë nga ora 13:00.