Pasi mbylli me detyrim eksperiencën mbi 20-vjeçare me katalanasit, Messi veproi shpejt për të gjetur një strehë të re. Ai thotë se ka marrë disa propozime, por arriti marrëveshje me PSG shumë shpejt: Fillova të mendoj për të ardhmen time dhe PSG më ofroi mundësinë për t’u bashkuar me të. Mora propozime të tjera, por duhet të pranoj se doja një marrëveshje mjaft të shpejtë.

Nuk ishte e lehtë, sepse gjithçka duhej të rregullohej në një kohë të shkurtër, praktikisht brenda natës, kur ishte një operacion shumë i vështirë për t’u përfunduar në të tilla rrethana. Natyrisht, unë u josha nga projekti, ambiciet e klubit, lojtarët në dispozicion, grupi… Të gjithë këto elementë e bënë më të lehtë arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje.

Miqtë në këtë klub (Neymar, Di María dhe Paredes) e lehtësuan nënshkrimin e tij: Kjo ishte një pjesë e rëndësishme, kur duhej të merrja vendimin tim, sepse e dija që do të zbarkoja në një vend të ri dhe duhej ta filloja nga e para. E dija se kisha miq në dhomën e zhveshjes së PSG, kjo më lejoi të thosha me vete se gjërat do të ishin më të lehta për t’u përshtatur.

Në ‘Copa América’, ata më pyetën rregullisht kur do të bashkohesha me ta, por gjithmonë me shaka, sepse e dinin që ideja ishte të qëndroja dhe ta mbyllja karrierën te Barcelona. Ishte një surprizë për ta kur iu thashë se do të vija në Paris.