Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime të Tiranës është duke punuar për rehabilitimin dhe përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë të qytetarëve të Tiranës. Për këtë arsye, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim përfaqësuesin e kontraktorit gjerman CES Consulting Engineers, Karl Philip Khugin, me të cilin nënshkroi një marrëveshje për realizimin e dy projekteve të rëndësishme për furnizimin me ujë dhe rrjetin e shpërndarjes së ujësjellësit, që financohen nga SëedFund.

“Projekti i parë ka të bëjë me unazën e presionit. Ne kemi sjellë një linjë direkt nga Bovilla, pra është shtuar prurja në Tiranë. Kemi zgjeruar gjithashtu, impiantin tonë të filtrimit, ose thënë ndryshe, sasinë që mund të pompojmë në rrjet. Por, na duhet një unazë e presionit, që të mos kemi disa zona me 24 orë ujë, kurse në disa të tjera qytetarët përdorin ende pompa për ta çuar ujin në katet më të larta. Unaza e presionit mundëson që i gjithë qyteti të ketë të njëjtin presion, për t’u siguruar që furnizimi të jetë i njëtrajtshëm”, sqaroi Veliaj.

Projekti i dytë, për të cilin foli kryebashkiaku, ka të bëjë me një tjetër burim uji në Tiranë. Veliaj nënvizoi faktin se tashmë një pjesë e mirë e Tiranës furnizohet 24 orë me ujë dhe shtoi se shumë shpejt, i gjithë kryeqyteti do të ketë ujë pa ndërprerje.

“Projekti tjetër shumë i rëndësishëm për të cilin kemi nevojë për këtë fizibilitet është projekti i një burimi të ri uji për Tiranën, burimi i Gurit të Bardhë. Pra, përveç burimit të Selitës, Shën Mërisë dhe Bovillës, do të duhet të mendojmë për Tiranën e viteve 2030-2040-2050. Duhet të kemi një tjetër burim uji dhe për këtë duhet të fillojmë punë tani”, theksoi ai.

Përfaqësuesi i CES Consulting Engineers, Karl Philip Khugin, falenderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për besimin, teksa shtoi se nga këto dy projekte përfitojnë banorët e kryeqytetit.

“Ndihemi të nderuar që jemi pjesë e këtij projekti sfidues dhe absolutisht shumë të nevojshëm për të siguruar, pajisur dhe shtuar cilësinë e furnizimit me ujë në vitet e ardhshme. Jemi shumë krenarë të marrim përsipër këtë sfidë, dimë afatin kohor për 3.5 vitet e ardhshme dhe do të bëjmë më të mirën që mundemi”, tha ai.