Aleanca veri-atlantike, NATO ka reaguar në lidhje me situatën e tensionuar gjatë ditës së sotme në veri të Kosovës. NATO e sheh operacionin e Policisë së Kosovës më 13 tetor kundër kontrabandimit të mallrave si, veprim për vendosjen e ligjit dhe thotë se misioni i KFOR-it në Kosovë është në komunikim me autoritetet relevante. “Policia e Kosovës është duke kryer një operacion të zbatimit të ligjit përgjatë Kosovës” dhe se “misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja është në komunikim të pandërprerë me të gjitha institucionet relevante në Kosovë dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”- thotë një zyrtar i NATO-s.

Në përgjigjen e tij përsëritet se misioni i aleancës veri-atlantike në Kosovë mbetet tërërisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të OKB-së.

Në këtë reagim të këtij zyrtari të NATO-s thuhet edhe se “KFOR-i vazhdon të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes së fundit për shtensionimin e tensioneve që kanë arritur Beogradi dhe Prishtina në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, duke iu referuar pajtueshmërisë së arritur më 30 shtator.