Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim dhe i BE Luigi Soreca janë takuar ditën e sotme me kreun e KQZ Ilirjan Celibashi. Lajmi është bërë me dije nga ambasada e SHBA e cila ka zbardhur edhe detaje nga takimi.

Në njoftim thuhet se Kim dhe Soreca kanë nënvizuar se është përgjegjësi e institucioneve për të trajtuar rekomandimet e raportit përfundimtar të ODIHR-it. Ata kanë theksuar se autoritetet duhet të hetojnë parregullsitë dhe të ndjekin penalisht krimet zgjedhore.

“Ambasadorja Kim, së bashku me Ambasadorin e Bashkimit Europian Soreca, u takuan me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi për të diskutuar mënyrat për të përmirësuar më tej zgjedhjet në Shqipëri.

Duke cituar raportin e fundit të ODIHR, Ambasadorët Kim dhe Soreca shprehën vlerësimin për administrimin kompetent të zgjedhjeve të 25 prillit nga KQZ. Ambasadorët nënvizuan se tani është përgjegjësi e të gjitha institucioneve, autoriteteve dhe partive për të punuar me KQZ-në për të trajtuar rekomandimet e raportit përfundimtar të ODIHR-it.

Po ashtu, është thelbësore që autoritetet të hetojnë parregullsitë dhe të ndjekin penalisht krimet zgjedhore, përfshi blerjen e votave, kërcënimin e votuesve dhe përpjekjet e tjera për t’u mohuar votuesve të drejtën për të votuar të lirë, pa frikë, trysni apo joshje të paligjshme. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin me forcë të gjitha përpjekjet për të siguruar që zgjedhjet në Shqipëri të përmbushin standardet më të larta, në mënyrë që vullneti i zgjedhësve të respektohet plotësisht”, njofton ambasada e SHBA.