“Shqiptarët janë një popull bujar, me ideale të mëdha. Më lejoni t’ju tregoj një histori: Punëtorët shqiptarë ndërtuan shtëpinë time në Lucinico. Vlerësova humanizmin dhe aftësinë e tyre për të punuar. Ata nuk kishin mjetet e kohës, por punonin deri në 10 orë në ditë. Shqiptarët janë njerëz në vevojë, që gjithmonë tregojnë dëshirën për të punuar. E njoh mirë kryeministrin Edi Rama, edhe ai ishte pak i bindur se do ta pranoja propozimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Rama më telefonoi për të më thënë: Çfarë po bën në shtëpi, pse nuk vjen të trajnosh Shqipërinë? Ndjehem edhe më i lumtur sot dhe krenohem që thashë ‘po’. Sapo mbërrita, presidenti më kërkoi të qëndroja deri 80 vjeç. Fillimisht qesha, duke i thënë se nuk mund të trajnoj deri në atë moshë, por përderisa e kam të qartë se po e bart këtë projekt, më pëlqen. Tashmë kemi një shkollë futbolli, janë kurset për trajnerët shqiptarë, përgatitësit atletikë dhe mjekët sportivë. Qëllimi është pjekja e atyre talenteve të rinj që ende nuk janë zhvilluar”.

Ky është rrëfimi i trajnerit tonë kuqezi, që sillet në kujtesë ditën e sotme nga “Calcio Totale”, portali sportiv italian, i cili nënvizon më tej: “Shqipëria e Edy Reja, pas kualifikimit të parë historik në ‘Euro 2016’, nën drejtimin e De Biasi, ëndërron për herë të parë të marrë pjesë në Botërorin e Katarit 2022. Ajo mundi Hungarinë të shtunën, me shumë lojtarë që luajnë në Serie A italiane dhe sonte do të përballet me Poloninë si e dyta në klasifikimin e grupit, me një pikë shtesë ndaj polakëve. Populli shqiptar meriton të ëndërrojë dhe aspirojë për qëllime kaq të rëndësishme, sepse çdo gjë e ka arritur me punë, merita dhe shumë sakrifica.

Më në fund, nuk mund të harrojmë bujarinë, solidaritetin dhe vlerësimin e tyre të treguar ndaj Italisë në kohën e pandemisë. ‘Katar 2022’ e meriton më shumë se kushdo. Përpara Shqipëri!”