Gjatë dy viteve të fundit, Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara ka investuar rreth 1 milion dollarë në rinovimin e dy tuneleve të ruajtjes së municioneve, si dhe pajisje dhe trajnime për Forcat e Armatosura Shqiptare.

Zëvendësshefi i Misionit, Demian Smith dhe shefi i zyrës për Bashkëpunim në Mbrojtje LTC, Erol Munir morën pjesë në një ceremoni dhurimi në Batalionin e Inxhinierëve të Forcave të Armatosura Shqiptare.

“Dita e sotme është shembull i shkëlqyer i marrëdhënieve të forta dhe të zgjeruara të mbrojtjes midis vendeve tona”, tha Smith.

Smith vlerësoi partneritetin në fushën e mbrojtjes.

“Një nga pjesët më të rëndësishme të marrëdhënies sonë ka qenë partneriteti i jashtëzakonshëm në fushën e mbrojtjes. Kush do ta kishte imagjinuar tridhjetë vjet më parë, se sot do të ishim aleatë në NATO dhe ushtritë tona do të bënin kaq shumë së bashku, këtu dhe në mbarë botën”, tha zëvendësshefi i Misionit Smith gjatë ceremonisë.

Shefi i Mbrojtjes së Shqipërisë, Gjeneral Major Bajram Begaj, falënderoi Shtetet e Bashkuara për ndihmën ndaj ushtrisë shqiptare dhe zbuloi pllakatën në përkujtim të punës dhe bashkëpunimit të jashtëzakonshëm.