Në mbledhjen e sotme këshilli i ministrave ka bërë disa ndryshime në lidhje me rregullat për kohëzgjatjen e punës dhe pushimit, orët shtesë në institucionet e administratës shtetërore, të pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.

Sipas vendimit të qeverisë, brenda orarit ditor të punës, të punësuarit mund të japin mësim pas miratimit nga titullari i institucionit por jo më shumë se katër orë në javë, të cilat duhet të kompensohen në orë pune pas orarit ditor.

Ndërkohë pushimet sipas rregullit janë ditët e shtunë dhe diel me përjashtim të rasteve kur në kontratë është përcaktuar ndryshe. Ndërsa koha e kryerjes së pushimit vjetor përcaktohet nga titullari i institucionit sipas kërkesës, por pa cenuar vijueshmërinë e punës.

Në rast martese i punësuari ka të drejtën e pushimit të paguar deri në 5 ditë, për lindje fëmije për bashkëshortin ose bashkëjetuesin përcaktohen 3 ditë dhe në rast vdekje të një familjari deri në 5 ditë.