Deputeti i PD-së së qarkut të Durrësit, Ferdinand Xhaferraj ka thirrur në interpelancë ministrin e Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, ku i kërkoi llogari se përse në fund të korrikut u anulua vendimi për rikonstruksionin e dy rrugëve ‘Miqësia’ dhe Azem Hajdari-gjelbërimi’, në Durrës.

“Tërmeti ekspozoi vetëm një gjë, që ju jeni të gatshëm të përfitoni edhe nga ngjarje të tilla! Babëzia ju bën të përfitoni edhe nga fatkeqësia”, tha Xhaferraj.

Ahmetaj sqaroi se vendimi nuk është anuluar, por të dyja rrugët janë futur brenda një plani të detyruar vendor më të gjerë dhe nuk është hequr financimi. Sipas Ahmetaj, procedurat për kontratën e punimeve pritet të përfundojnë në fund të këtij viti.

Nga ana tjetër ai bëri me dije në datat 10-12 nëntor do të bëhet hedhja e shortit për shpërndarjen e apartamenteve në Krujë dhe me datë 15 do të bëhet në Durrës dhe Lezhë.

“Arsyeja e ndryshimit është për të futur të dyja rrugët brenda një plani të detyruar vendor më të gjerë, në mënyrë që rrugët të funksionojnë më mirë për qytetarët që janë kyçe për të lidhur zonën e Spitallës me qytetin. Rrugët “Miqësia” dhe “Azem Hajdari” do të ndërtohen dhe rikonstruktohen nga njësia zbatues e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, me financimin, ku është alokuar nga buxheti i shtetit. Për pak ditë do të lidhet kontratat e punimeve për rrugën Miqësia dhe deri në fund të nëntorit për rrugën Azem Hajdari. Fondi i alokuar është 1.2 mld të dyja. Të dyja rrugët janë brenda fondit ët rindërtimit të financuara, do të bëhen. Njëra ka përfunduar si procedurë, tjera përfundon në fund të dhjetorit. Ju jeni ngatërruar pasi ne kemi përfshirë dhe rrugët në planin e detyruar vendor dhe nuk kemi hequr financimin. Sot janë 15 mijë familje që trajtohen me bonus qiraje, janë dhënë rreth 5 mld lekë për bonusin e qirave. Përfituesit nga programi i rindërtimit janë rreth 49 mijë. Shpërndarja do bëhet me short për të shmangur keqkuptimet, për transparencë. Hedhja e shortit në Krujë, nga data 10-12, në Durrës me datë 15, në Lezhë me datë 15′, tha Ahmetaj.