Nga Mero Baze/

Sali Berisha po bën gjithë përpjekjet tu mbush mendjen mbështetësve të vet se do të bëhet vet kryetar I Partisë Demokratike. Së paku në dy takimet e fundit, ai e thotë deri afër fundit fjalinë, që do të rikthehem, “po e mendoj rikthimin”, “nuk ka kush që më ndal të rikthehem në krye të PD”,.. etj. E vërteta është se shumë demokratë e duan në krye të PD, edhe pse ai e di fundin e vërtet të kësaj historie.

Por ai po këmbëngul që do të rikthehet.

E vërteta është se atë nuk e ndalon njeri të kthehet në krye të PD, nëse dëshiron të kthehet. Me shumë gjasa shumë kandidatë përballë tij mund të humbasin nëse ai vendos të hyj qoftë dhe në një garë të ndershme, që nuk e ka zakon.

Por ai realisht nuk do të bëhet kryetar I PD, por do të mbaj gjallë pushtetin mbi PD, duke ndëshkuar Lulzim Bashën, për të dhënë një shembull, që askush tjetër të mos guxoj ta tradhtojë më pas kësaj.

Por këtu qëndron dhe problemi që ai ka me rikthimin në krye të PD.

Fakti që Berisha thotë do të rikthehem, vjen nga fakti që ai nuk ka një plan dhe nuk ka një kandidatë për kreun e PD.

Ai e ka nisur këtë lëvizje ‘”haxhiqamiliste”, nën parullën “na ktheni Babën”, për të ndëshkuar me mendjen e tij Lulzim Bashën. Por që ta ndëshkoj atë deri në fund, ai duhet të shpalos një plan dhe një kandidat. Nuk ka ndonjë plan por mbi të gjitha nuk ka një kandidat. Deri tani ai është në nivel shantazhuesi.

Arsyeja pse Berisha nuk nxjerr një kandidat përballë Bashës, është pikërisht se në momentin që ai e nxjerr, mbështetësit e tij përçahen, shumë nga të dëshpëruarit që i shkojnë pas bëhen dhe më të dëshpëruar, dhe rivali I tij bëhet automatikisht më I dobët se Basha.

Skema e tij është të zboj një herë Bashën nga PD, pastaj të gjej një pasardhës, gjë që nuk ka sit ë ndodh as teorikisht.

Është kjo arsyeja që ai bën sikur do të bëhet vet kryetar I PD, pasi vetëm kështu e mban të bashkuar vulgun e PD pas vetes dhe bën si I fort.

Në momentin që ai nxjerr një emër, ai është I vdekur dhe I mundshëm edhe nga Lulzim Basha, pasi tani nga një njeri që I ka zhgënjyer demokratët që u ka imponuar Bashën për tetë vite, do të kthehet në një njeri që po I fton të besojnë një tjetër, si ai.

Edhe sikur dy jetë ti japësh Sali Berishës, ai nuk I bën dot më një kandidati të dytë aq shumë shërbime sa I ka bërë Lulzim Bashës dhe më në fund po e sulmon si “Juda” që nuk duhet të kishte lindur mbi tokë.

Kjo pabesueshmëri e lart që ai ka krijuar me këtë rast , e pengon atë të nxjerr një emër tjetër. Është kjo arsyeja që bën sikur do të bëhet vet kryetar, me shpresë që të tremb Bashën dhe ai të largohet për t’i hapur rrugë një beniamini të ri të tij. Do ta kishte me të lehte të propozonte djalin apo vajzën e tij, por ata kane perjetesisht te njejtin hall si i Ati, janë të damkosur si hajdut që kane vjedhur paret e shqiptareve dhe kane shantazhuar drejtësinë, nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Dhe ata do të jetojnë me gjatë se Berisha me kete damkë. Kjo e bën Berishën një haxhiqamilist pa plan për të ardhmen e PD, përveç shkatërrimit të asaj pjese të PD që ka mbetur. Bërja e tij kryetar është fund I sigurt I PD, ndërsa shantazhi për t’u bërë kryetar, është përpjekje për ta gjunjëzuar PD. Në të dy rastet ai mbetet aktualisht armiku më I madh I PD. (Tema)