“Komisioni Europian rikonfirmon bindjen e vet se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për të nisur edhe formalisht atë që është vendosur edhe më parë në Këshillin Europian, për të ndërmarrë së bashku me BE diskutimin e anëtarësimit të vendit në BE”. Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama në një konferencë me ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ku prezantohet progres raporti vjetor i Komisionit Europian. Ky raport sipas Ramës është një dokument që vlerëson progresin e Shqipërisë objektivisht, duke u bazuar në fakte dhe hulumtime të kryera në terren.

“Dua të theksoj se ne gjejmë te KE një partner të drejtë, të paanshëm, një partner rigoroz që e vlerëson progresin duke u bazuar në hulumtimin e fakteve në terren dhe për këtë arsye do ta përsëris, nuk gjendet në asnjë kryeqytet të vendeve anëtare një strukturë e ngjashme apo që mund ta konkurrojë për nga cilësia e hulumtimit dhe për nga drejtësia e gjykimit, delegacionin e KE”, tha Rama.

Ndërsa kur dëgjojmë diskutimet mbi afatet se në një vend apo një tjetër ngrihen pretendime – tha Rama – këto janë të gjitha politikë, nuk janë gjykime teknike. “Prandaj progres raporti është për në dokumenti udhërrëfyes. Të tjerat janë interferenca në proces me natyrë politike. Del një shtet, një grup deputetësh në një anë, një grup në anë tjetër që janë të lidhura me hallet që kanë në shtetet e tyre. Komplet legjitime, por nuk ka krahasim e cfarë përfaqëson komisioni dhe raporti në pikëpamje të objektivitetit”, shtoi Rama.

Rama citoi edhe pikat kyçe të progres raportit, për të cilat Shqipëria vlerësohet pozitivisht nga Komisioni Europian. Sipas tij, raporti vulosi përfundimisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm në pikëpamje të integritetit dhe të përputhjes me standardet dhe rekomandimet e OSBE ODHIR. “Së dyti se Shqipëria ka vazhduar të përparojë në reformat kyce që janë në thelb reforma të konsolidimit të institucioneve demokratike, që nga reforma në drejtësi ku vetingu nënvijëzohet si histori suksesi, reforma në administratën publike si proces që përparon, ku lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit përcaktohet si një luftë që përparon, ku respekti për liritë dhe të drejtat e njeriut rikonfirmohet si vlerë bazike e proceseve demokratike në vend, ku politika e drejtpeshuar në aspektin e barazisë gjinore nënvijëzohet, ku përpjekjet tona për ta përafruar kuadrin legjislativ me BE vlerësohet, ku progresi në funksion të një ekonomie funksionale tregu, përtej gjithë pengesave nga pandemia referohet si një përpjekje që përparon, ku angazhimi shumëpalësh i Shqipërisë dhe ndjekja e një politike të jashte në përputhje me atë të BE nënvijëzohet me vlerësim”, theksoi Rama.