“Kultivimi i bimëve medicinale dhe aromatike si një alternativë e qëndrueshme ndaj kanabisit në Përmet – MAPCULT” ishte tema e takimit të projektit të financuar nga Bashkimit Evropian që u zhvillua në qytetin e Përmetit. Ky projekt implementohet nga bashkia Përmet, si partneri kryesor dhe Instituti i Kërkimeve Urbane.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Delegacioni i BE në Shqipëri, nga bashkia, nga Instituti i Kërkimeve Urbane dhe fermerë të zonës. Qëllimi i projektit është të përmirësojë kushtet social-ekonomike dhe promovojë mundësi alternative punësimi për komunitetet e prekura nga kultivimi dhe trafikimi i kanabisit në bashkinë Përmet, përmes: mbështetjes së familjeve fermere në kultivimin e trëndafilit të egër dhe bimëve të tjera medicinale dhe aromatike dhe mbështetjes së të rinjve dhe grave të papuna përmes rritjes së kapaciteteve të tyre për prodhimin e produkteve kozmetike artizanale duke përdorur si lëndë të parë bimët medicinale dhe aromatike të kultivuara.

Po ashtu ky projekt ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të publikut kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, me vëmendje të veçantë fshatrat e prekura nga kultivimi i kanabisit,. Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha në fjalën e saj theksoi se “bashkia Përmet vazhdon të implementojë projekte të ndryshme nga donatorë të huaj, kryesisht nga Bashkimi Evropian. Por e veçoj këtë projekt si një nga më të rëndësishmit, pasi fokusohet në zonat rurale dhe shpreh se atje ka nevojë për më shumë ndërhyrje”.

“Zhvillimi i zonave rurale është një ndër prioritetet strategjike të bashkisë Përmet”, – shtoi Hoxha. Bimët aromatike dhe medicinale vijojnë të jenë ndër prodhimet shqiptare më të eksportuara.