Rritja e numrit të rasteve ditore me Covid në Slloveni, ka bërë që qeveria të marrë masa shtesë sidomos në shkolla. Mediat e huaja bëjnë me dije se masat e reja të qeverisë pritet që të futen në fuqi të hënën, ndërsa nuk janë përjashtuar edhe masa të reja nëse do të vazhdojnë trendet negative. Sipas masave të reja të gjithë nxënësit dhe studentët të cilët janë vetëtestuar do të mund të vazhdojnë mësimin.

Testimet do të jenë dy here në javë, të detyrueshme në të gjitha institucionet shëndetësore dhe sociale, ndërsa maska duhet t’i mbajnë edhe të vaksinuarit, nëse janë në kontakt direkt me persona të tjerë. “Pasqyra epidemiologjike është e keqe, po lëvizim drejt gjendjes më të keqe në epidemi deri tani”, deklaroi ministri slloven i Shëndetësisë, Janez Poklukar.

Ndër të tjera ministri ka theksuar se nëse gjëndja nuk do të ndryshojë dhe do të rritet numri i personave të hospitalizuar do të mund të kemi dhe një mbyllje totale të disa pjesëve të jetës shoqërore.