Në një moment që Kina ka pranuar të analizojë më shumë se 200 mijë kampione gjaku të banorëve të Ëuhan, në përpjekje për të zbardhur origjinën e pandemisë së Covid, OBSH ka bërë të qartë se asnjë hipotezë nuk është kategorikisht e përjashtuar.

As ajo e rrjedhjes së virusit nga një laborator.

“Të gjitha hipotezat” mbi origjinën e pandemisë së koronavirusit duhet të vazhdojnë të analizohen, nga transmetimi nga kafsha deri tek rrjedhja nga laboratori, e cila nuk është përjashtuar ende në mënyrë kategorike.

I intervistuar nga “Corriere della Sera”, drejtori i përgjithshëm i OBSH u shpreh se vendet e pasura nuk kanë bërë aq sa duhet për të vaksinuar botën në mënyrë të barabartë. Sipas tij ka pasur zhvillime pozitive, por duhet bërë shumë më shumë.

OBSH ka kërkuar që të pritet të paktën deri në fund të vitit për dozat e treta të vaksinës kundër Covid. Ai theksoi se në vend që të vaksinohen ata që kanë marrë dy doza, duhet të vaksinohen personat më të rrezikuar.

Për sa i përket pandemisë, ai deklaroi se një gjë për të cilën është i sigurte, është se ky virus do të jetë mes nesh në të ardhmen dhe ka potencial për të vazhduar evoluimin. Ai gjithashtu u shpreh i shqetësuar për situatën në Afrikë, duke marrë parasysh se vetëm 4%e popullsisë është vaksinuar.

Kur u pyet nëse OBSH –ja po këshillon botën për t’u përgatitur për pandeminë e radhës, ai tha:

“Po, bota duhet të jetë më e përgatitur për të parandaluar dhe reaguar ndaj kërcënimeve të shpërthimeve të sëmundjeve infektive të pandemisë dhe potencialit epidemik. COVID-19 na ka treguar se gatishmëria jonë mund të kishte qenë shumë më e mirë. Është pikërisht kjo arsyeja që OBSH, me partnerët, ka nisur një sërë nismash të reja për të mbrojtur më mirë botën nga kërcënimet e ardhshme.