Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, vijon betejën me drejtësinë për t’i shpëtuar burgut. Nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, Llalla ka apeluar këtë të hënë vendimin e shkallës së parë për pezullimin e dënimit me 2 vite burg. Pezullimi i vendimit kërkohet, pasi sipas mbrojtjes mbyllja e tij në qeli do t’i sillte pasoja të rënda për shëndetin.

Në 22 shtator, Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimin me 2 vite burg për të për akuzën e “fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë” dhe heqje të të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.

Vendimi i gjykatës ende nuk është zbatuar, pasi Llalla rezultoi të ishte larguar nga vendi disa ditë para shpalljes së tij. Pas gati dy javëve kërkim brenda territorit të vendit dhe pas mosgjetjes së tij, SPAK nënshkroi procedurën e kërkimit ndërkombëtar për Llallën, duke ia përcjellë shkresën zyrës së INTERPOL.