Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka priti sot homologen e saj në Kosovë, Donika Gërvallën, e cila zhvillon vizitë njëditore në vendin tonë. Në fjalën e saj ministrja u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë të lobojë për Kosovën me BE.

Fjala e plotë e ministres Xhaçka, Përshëndetje të gjithëve, Është kënaqësi për mua të mikpres kolegen time nga Kosova, Donika Gërvalla, e cila me Shqipërinë ka një lidhje të veçantë pasi siç e dini ka kaluar këtu një pjesë të jetës së saj. Kemi pasur një komunikim të vazhdueshëm dhe jemi takuar në fakt disa herë, por padyshim që sot ishte rasti për të folur më gjatë, mbi sfidat e përbashkëta. Ky takim vjen në një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes nesh, përderisa sot në këto marrëdhënie ka një moment të ri për të thelluar, me masa e hapa konkret, partneritetin strategjik mes nesh në të gjitha fushat, që nga diplomacia, ekonomia e turizmi, e deri tek përpjekjet e përbashkëta për konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. I shpreha ministres mirënjohjen për mbështetjen që kemi pasur nga Kosova në një moment tejet të vështirë për ne, siç ishte tërmeti i nëntorit 2019. Ka qenë një moment tejet i vështirë dhe kjo ndihmë ka qenë veçanërisht e rëndësishme për vlerën e madhe simbolike, të shqiptarëve që ju gjenden shqiptarëve në ditët më sfiduese. Biseduam sot, për përmbushjen e detyrave të lëna nga takimi i dy Kryeministrave Rama dhe Kurti në Prishtinë, më 27 shtator, si dhe për mbledhjet e përbashkëta qeveritare të deritanishme. Në këtë aspekt besoj që ngritja e një Sekretariati të përbashkët, si një strukturë operative, do të jetë një mekanizëm efikas për ndjekjen dhe realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara, deri më tani, dhe të atyre që me gjasë do të nënshkruhen tani e tutje. Në mënyrë të veçantë u angazhuam për zbatimin e plotë të marrëveshjes midis dy ministrive të jashtme mbi bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme, nëpërmjet harmonizimit të veprimeve dhe aksioneve të diplomacisë për arritjen e objektivave strategjike kombëtarë, ku përparësi mbetet anëtarësimi i Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare. Ky bashkërendim i aksionit diplomatik do të mbështetet nga shtimi i përfaqësive të përbashkëta, posaçësisht në zona si Afrika dhe Azia, apo edhe nga ndërthurja e punës të diplomatëve të Shqipërisë dhe Kosovës në ambasadat ekzistuese. Koordinimi në kuadër të diplomacisë ekonomike mbetet po ashtu një nevojë parësore për të dyja vendet.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, vendosëm të promovojmë së bashku konkursin fotografik “Colors of Albanians”, i cili do të hapet në nëntor në Shqipëri, për t’u mbyllur më pas në Kosovë. Shqipëria ka qenë e do të jetë gjithmonë në krahun e Kosovës, mbështetësja më e fortë dhe avokatja më e pakompromis e Kosovës. Për ne Kosova, e ardhmja e Kosovës dhe e ardhmja e Shqipërisë, janë të lidhura ngushtë dhe ne do të bëjmë çdo gjë që Shqipëria mund të bëjë për interesat e Kosovës. Shqipëria do të ngrejë zërin për Kosovën pa u lodhur siç ka bërë gjithmonë e ashtu siç ndodh edhe sot, edhe me BE, ku siç besoj e dini kemi lobuar, por edhe kemi kritikuar hapur padrejtësinë që i është bërë Kosovës nga Brukseli, duke mos e mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave. Ne e kemi mbështetur Kosovën edhe kur askush nuk kujtohej për tragjedinë e Kosovës dhe kjo për faktin e thjeshtë që duke mbështetur Kosovën ne mbështesim Shqipërinë dhe shqiptarët. I kemi mbështetur vendosjen e reciprocitetit për targat si një e drejtë legjitime e Kosovës, dhe e kemi mbështetur operacionin anti-krim në Veri si një e drejtë sovrane e Kosovës. Por ne besojmë po ashtu, siç besojnë edhe të gjithë partnerët tanë të rëndësishëm strategjikë, pa të cilët le të flasim hapur, Kosova nuk do të ishte sot as e lirë as e pavarur, se dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemit dhe i takon autoriteteve të Kosovës të udhëheqin me forcën e shembullit në këtë drejtim.

Rezultati i dialogut duhet të jetë një marrëveshje e detyrueshme ligjore që mundëson njohjen e ndërsjelltë mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe gjithçka tjetër që pritet për interesat shtetërore të Kosovës. Për të shtuar, ndoshta për të qartësuar fare pak, patjetër që rezultati i dialogut duhet të jetë një marrëveshje e detyrueshme ligjore, siç thatë edhe ju që mundëson njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në BE, por edhe trajtimin e drejtë të minoriteteve konform Kushtetutës së Kosovës. Rezultati i kësaj marrëveshjeje duhet të jetë patjetër një kërkesë faljeje dhe njohje e krimeve nga ana e Serbisë, por për të arritur deri atje pa diskutim që kemi shumë punë për të bërë. Na duhet shumë koordinim edhe shumë ide të reja dhe në këtë kontekst është vërtetë inkurajuese mbështetja e administratës së re të amerikanëve, Presidentit Biden për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e fokusuar në njohjen e ndërsjellë. Sot ama, dhe këtë desha ta theksoj, Shqipëria është një aktor shumë i rëndësishëm dhe më me peshë sesa qoftë dhe një dekadë më parë dhe kjo ishte një nga pikat e diskutimeve tona. Jemi sot më pranë se kurrë hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Kemi sot një marrëdhënie më të fortë se kurrë me SHBA dhe akoma më i rëndësishëm është fakti që pak muaj nga sot do të ulemi, siç e përmendët dhe ju, në Këshillin e Sigurimit. Dhe ky është një zhvillim që i jep një dimension krejt të ri dhe një potencial të paparë më parë të diplomacisë tonë. Kjo është një mundësi për ne, por pa diskutim është një mundësi edhe për Kosovën e cila është një nga prioritetet tona të punës në Këshillin e Sigurimit. Në fakt shumë nga prioritetet tematike që formojnë agjendën tonë në Këshillin e Sigurimit si Gratë, Paqja dhe Siguria, apo të drejtat e njeriut janë frymëzuar në një masë të madhe nga historia e shqiptarëve në Kosovë. Ne do të punojmë duke ngritur zërin e duke risjellë në diskutimet e Këshillit të Sigurimit Kosovën dhe duke bërë punë konkrete, për të zgjeruar njohjet apo përfaqësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ky është një mision për të cilin po punojmë shumë dhe me të cilin mirëpresim një bashkëpunim shumë më të ngushtë bashkërisht me Kosovën, për të identifikuar mundësitë më të mira dhe strategjitë më të mira për të çuar përpara këto objektiva. Kemi shumë punë përpara. Patjetër qytetarët presin shumë prej nesh. Unë jam shumë optimiste që me intensitetin e ri që ka marrë bashkëpunimi mes nesh, do të dimë të bëjmë punë të mira dhe do të dimë të shënojmë arritje konkrete në të mirë të shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë, kudo që ata janë. E dashur Donikë, presim një sezon shumë të impenjuar që të bëjmë çmos, që bashkërisht duke koordinuar edhe përmes ekipeve tona, të avancojmë interesin tonë kombëtar dhe interesat tona shtetërore. Kështu që në Shqipëri je në shtëpinë tënde, në Ministrinë e Jashtme e ke gjithmonë derën e hapur. Kështu që pres që bashkëpunimi ynë vetëm të forcohet dhe të zgjerohet nga ky moment.