Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja mori pjesë sot në konferencën “Monitorimi dhe mbështetja e reformave të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”.

Në fjalën e tij në konferencë, Manja theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë mbart mjaft sfida në disa fusha, ku padyshim ajo e drejtësisë mbetet një nga sfidat kryesore për të gjitha vendet me qëllim përmbushjen e detyrimeve drejt integrimit europian dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Ai tha se bashkë edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën po punohet për Reformën në Drejtësi.

Duke folur për Reformën në Drejtësi në Shqipëri, Manja tha se përparimi është i dukshëm.

“Kemi përfunduar me ndërhyrjet në legjislacion, ku vota unanime e paketës ligjore dhe ndërhyrjeve në Kushtetutë solli vullnetin politik të pozitës dhe opozitës në të njëjtin qëndrim, duke përkrahur ndryshimet ligjore dhe kushtetuese. Kemi arritur të kemi një proces vetingu rezultativ edhe pse jo të pritshëm në të tilla nivele të larta të largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, një proces vetingu i cili po sjell një transformim të vazhdueshëm të sistemit gjyqësor shqiptar, me synimin e plotë kthimin dhe rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë dhe sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit për një shtet të fortë të së drejtës. Organet e vetingut funksionojnë me kapacitete të plota dhe ky rivlerësim i gjyqtarëve dhe prokurorëve po zbatohet nën monitorimin e rreptë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Aktualisht, janë vetuar 450 gjyqtarë e prokurorë, 60% e të cilëve ose janë larguar ose dorëhequr nga sistemi, një shifër e paprecedentë kjo në lëmin e drejtësisë shqiptare”, u shpreh Manja.

Po ashtu, Manja shtoi se kjo reformë nuk do të ishte esenciale pa ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat kanë patur dhe do të vijojnë të kenë mbështetjen e Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Drejtësisë për të përmbushur objektivat e tyre për një sistem drejtësie të pavarur, profesional dhe me integritet, ku forca e ligjit do të eliminojë njëherë e mirë sistemin e pandëshkueshmërisë dhe të korrupsionit.

“Ka përfunduar procesi i krijimit të institucioneve të pavarura të qeverisjes gjyqësore si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Është ngritur një arkitekturë e re gjithëpërfshirëse institucionale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e përbërë nga: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) Gjykatat kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Funksionalizimi i plotë i Gjykatës së Lartë dhe i Gjykatës Kushtetuese”, theksoi ai.

Në vijim, Manja shtoi se arritjet kryesore të reformës në drejtësi këto 5 vitet e fundit, padyshim janë të shumta por miratimi i të gjithë kuadrit ligjor në drejtësi evidenton më së miri ndryshimin rrënjësor dhe rindërtimin e sistemit të drejtësisë sipas modelit evropian, bazuar në një sistem vlerësimi të aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësim të integritetit dhe pastërtisë së figurës.

“Ndryshimet kushtetuese dhe paketa ligjore e reformës në drejtësi janë një garanci për pavarësinë e gjyqësorit dhe integritetin e magjistratëve, përtej çdo ndikimi për të siguruar llogaridhënie dhe efikasitet në sistemin e drejtësisë. Tashmë jemi në fazën e dytë, atë të konsolidimit të reformës në drejtësi, duke synuar një finalizim të plotë të gjithçka nevojitet për të qenë, më ndjeni për jo modestinë, modeli i parë në vendet e rajonit e më gjerë i Reformës më të plotë në drejtësi. Rrugëtimi ynë do të mbështesë edhe shtimin e mandatit të organeve të vetingut, për të përfunduar me sukses dhe kaluar në filtër gjithë trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe do të mbështesë organet e reja të drejtësisë. Ne jemi këtu për të dhënë shembull të arritjeve por dhe për të mësuar nga gabimet tona me qëllim fitimin e kohës të një procesi të pakthyeshëm, atë të integrimit në Bashkimin Evropian, ku sundimi i ligjit, funksionimi demokratik i institucioneve, reforma në administratën publike dhe reformat ekonomike do të jenë kryefjala e këtij procesi. Dhe ne si Ministri Drejtësie, lider në kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, i cili është kapitulli fondamental që hapet i pari dhe mbyllet i fundit, si dhe institucion kontribues në kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, po punojmë për të zbatuar metodologjinë e re të zgjerimit por edhe duke plotësuar 4 parimet kryesore: kredibilitetin, angazhimin politik, ndjekjen e procesit dinamik dhe duke ndjekur të gjitha hapat dhe udhërrëfyesit e procesit”, tha ai.

Gjithashtu, Manja shtoi se “Ministria e Drejtësisë ka përfunduar procesin 1-vjeçar të punës për hartimin e paketës strategjike për fazën e dytë të zbatimit të reformës në drejtësi për vitet 2021-2025, një dokument strategjik që synon jetësimin e vizionit për një “Sistem drejtësie të pavarur, llogaridhënës, të aksesueshëm, transparent dhe efiçent që mbron të drejtat e njeriut dhe i shërben shoqërisë sipas standardeve evropiane”.

“Së fundmi por jo nga rëndësia, në këtë tryezë jemi bashkërisht jo vetëm për të dhënë arritjet dhe sfidat tona por edhe për të ndërtuar e ndarë eksperienca në këtë proces të përbashkët si në reformën në drejtësi, ashtu edhe në bashkëpunimin ndërkombëtar gjyqësor me të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë. Përfitoj nga rasti të theksoj këtu bisedimet për intensifikim të marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut dhe shkëmbim i përvojave në procesin Screening për kapitujt 23-24 në procesin e integrimit dhe rishikimin e marrëveshjeve në fushën penale. Nënshkrimin e marrëveshjes të bashkëpunimit gjyqësor në fushën civile me Kosovën, pasi kanë përfunduar negociatat dhe kanë konkluduar draft marrëveshjen “Për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare”. Me Malin e zi, do të shihej po ashtu intensifikimi dhe dhënia e mundësive të shkëmbimit të eksperiencave në procesin e prescreening e më shumë vendeve të rajonit, për të ndjekur frymën e instrumentit Open Balkan në fushën e drejtësisë si kryesor në kapitullin 23 të procesit të integrimit”, tha Manja.